Kupa e Shqipërisë 2025-2026/ Përcaktohen tetë skuadrat çerekfinaliste, ndahen vazot për shortin

Sport

Kupa e Shqipërisë 2025-2026/ Përcaktohen tetë skuadrat

Kanë përfunduar ndeshjet e fazës 1/8 të Kupës së Shqipërisë 2025-2026, duke përcaktuar tetë skuadrat që vazhdojnë rrugëtimin drejt trofeut dhe sigurojnë kualifikimin në fazën çerekfinale.

Tirana, Dinamo City, Partizani, Bylis, Teuta, Vllaznia, Egnatia dhe AF Elbasani janë ekipet e kualifikuara për në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë.

Të gjitha ndeshjet e fazës 1/8 u zhvilluan ditën e sotme. Në takimet e orës 13:00, Dinamo City dhe Partizani e siguruan pa vështirësi kualifikimin, duke fituar me rezultatin 3-0. Dinamo City triumfoi ndaj Besës, ndërsa Partizani mposhti Burrelin.

Ndeshjet Tirana kundër Skënderbeut dhe Bylis kundër Laçit u vendosën vetëm pas kohës shtesë, pasi 90 minutat e rregullta u mbyllën në barazim. Tirana shënoi golin vendimtar në shtesë dhe fitoi 2-1, duke siguruar kualifikimin. Edhe Bylisi gjeti golin e tretë në shtesë, duke fituar 3-2 dhe kaluar më tej.

Në ndeshjet e orës 16:00, Egnatia fitoi 1-0 ndaj Apolonisë, ndërsa me të njëjtin rezultat Vllaznia triumfoi kundër Pogradecit. Teuta mposhti Vorën 2-0, ndërsa sfida mes AF Elbasanit dhe Flamurtarit shkoi në shtesë, pasi koha e rregullt u mbyll në barazim 1-1. Verdheblutë e Elbasanit shënuan golin vendimtar në kohën shtesë, duke fituar 2-1 dhe siguruar kualifikimin për në fazën çerekfinale.

Në bazë të rregullores së aktivitetit, janë ndarë edhe vazot për shortin e fazës çerekfinale të Kupës së Shqipërisë.

Në Vazon 1 bëjnë pjesë Egnatia, Vllaznia, Partizani dhe Dinamo City. Në Vazon 2 janë AF Elbasani, Teuta, Bylis dhe Tirana.

Çiftet çerekfinaliste do të përcaktohen përmes një shorti të lirë mes tetë skuadrave të kualifikuara. Ndeshjet e kësaj faze do të zhvillohen me sistem vajtje-ardhje, me takimet e para që do të luhen në fushën e ekipeve të pozicionuara në Vazon 2.

Në ditët në vijim do të bëhet e ditur data dhe ora e hedhjes së shortit për fazën çerekfinale të Kupës së Shqipërisë.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion