Dëshmi tronditëse në gjyqin për vdekjen e Maradonës: Nuk ngrihej nga shtrati. Nuk donte të hante, kishte hequr dorë

Sport

Dëshmi tronditëse në gjyqin për vdekjen e Maradonës:

Detaje të reja tronditëse po dalin nga gjyqi për vdekjen e legjendës së futbollit Diego Maradona, ku prokuroria argjentinase po heton nëse neglizhenca e ekipit mjekësor ka ndikuar në ndarjen e tij nga jeta. Një nga dëshmitë më të forta të paraqitura në proces ishte ajo e fizioterapistit dhe masazhatorit Nicolás Taffarel, i cili përshkroi gjendjen e rënduar fizike dhe psikologjike të Maradonës në ditët e fundit të jetës së tij.

Sipas Taffarelit, ish-kapiteni i Argjentinës kishte kaluar një periudhë të vështirë, duke humbur interesin për aktivitetet e përditshme dhe duke refuzuar kujdesin bazë personal. “Ai nuk ngrihej nga shtrati, nuk donte të hante dhe nuk donte as të lahej”, deklaroi dëshmitari para gjykatës. Ai tha se kishte paralajmëruar disa herë ekipin mjekësor për përkeqësimin e gjendjes së Maradonës dhe kishte kërkuar që ai të monitorohej çdo ditë, por sipas tij nuk kishte marrë përgjigje konkrete.

“U tregova për problemet që po shihja, por nuk pashë as veprime specifike dhe as një reagim të menjëhershëm”, u shpreh Taffarel. Gjatë seancës gjyqësore u dëgjua edhe një mesazh audio, që sipas prokurorisë mbështet pretendimin se fizioterapisti kishte ngritur shqetësime për gjendjen e rënduar të ish-futbollistit. Taffarel përshkroi gjithashtu ndryshimet fizike që kishte vënë re te Maradona në javët e fundit.

“Ai ishte i fryrë, këmbët i ishin enjtur. Më thanë të mos shqetësohesha, se gjithçka do të kalonte. Kur je në një situatë të tillë, u beson mjekëve dhe mendon se gjithçka do të rregullohet. Por kjo nuk ndodhi”, tha ai. Një nga momentet më prekëse të dëshmisë ishte rrëfimi për takimin e fundit mes Taffarelit dhe Maradonës, më 24 nëntor 2020, vetëm një ditë para vdekjes së tij.

Fizioterapisti tregoi se i kishte propozuar të uleshin së bashku për të pirë mate, pijen tradicionale argjentinase, por Maradona kishte refuzuar. “Ai më tha: ‘Nuk dua asgjë, Taffita, mjafton’. E pyeta: Çfarë do të thuash me ‘mjafton’? Dhe ai u përgjigj: ‘Asgjë… mjafton. Kaq është’”, rrëfeu dëshmitari. Sipas tij, ato fjalë treguan një gjendje të rënduar emocionale dhe një njeri që dukej sikur kishte humbur dëshirën për të luftuar.

Hetimet për orët e fundit të jetës

Një nga çështjet kryesore të gjyqit mbetet mënyra dhe koha e vdekjes së Maradonës, i cili u nda nga jeta më 25 nëntor 2020, në moshën 60-vjeçare.

Ekspertizat mjekoligjore kanë ngritur dyshime se ai mund të ketë kaluar disa orë në një gjendje të rëndë para se të ndërronte jetë, ndërsa ekspertët nuk kanë rënë dakord për kohëzgjatjen e saktë të kësaj periudhe.

Shtatë persona nga ekipi mjekësor i Maradonës janë në gjyq dhe përballen me akuza që mund të sjellin dënime deri në 25 vite burg. Ata i mohojnë akuzat dhe pretendojnë se kanë vepruar brenda kompetencave të tyre profesionale.

Gjatë procesit gjyqësor janë paraqitur edhe mesazhe nga një grup komunikimi mes punonjësve të sigurisë në rezidencën ku qëndronte Maradona. Në disa prej tyre, pas vdekjes së tij, anëtarët e grupit shpreheshin se mjekët ishin “në panik” dhe se mund të përfundonin në burg. Gjyqi pritet të vazhdojë me dëshmi të tjera, ndërsa autoritetet po përpiqen të përcaktojnë nëse vdekja e një prej futbollistëve më të mëdhenj të historisë ishte pasojë e natyrshme e problemeve të tij shëndetësore apo rezultat i një dështimi në kujdesin mjekësor.

ME TE LEXUARAT