Goditet rrjeti kriminal Spanjë-Algjeri, 78 të arrestuar për trafik droge dhe kontrabandë emigrantësh

Policia spanjolle ka shkatërruar një nga rrjetet më të mëdha kriminale që vepronte mes Spanjës dhe Algjerisë, i përfshirë në trafikun e drogës dhe kontrabandën e emigrantëve. Në kuadër të operacionit janë arrestuar 78 persona, ndërsa 27 prej tyre janë lënë në paraburgim të përkohshëm.
Sipas autoriteteve, organizata përdorte motoskafe të fuqishme për të transportuar drogë sintetike, kryesisht MDMA, nga Spanja drejt Algjerisë, ndërsa në kthim të njëjtat mjete përdoreshin për të sjellë emigrantë drejt brigjeve spanjolle dhe Ishujve Balearik.
Hetimet zbuluan se rrjeti kishte organizuar 64 udhëtime detare, duke kontrabanduar rreth 2 mijë emigrantë dhe duke siguruar mbi 24 milionë euro fitime. Kalimet kryheshin në kushte ekstreme rreziku, me motoskafe të mbipopulluara, pa pajisje shpëtimi dhe shpesh në det të trazuar.
Çmimi për një vend në këto udhëtime arrinte deri në 12 mijë euro për person, ndërsa në disa raste në një motoskaf transportoheshin deri në 50 emigrantë. Gjatë operacionit, policia sekuestroi 18 mjete lundruese me vlerë rreth 5 milionë euro.
Autoritetet spanjolle bëjnë të ditur se trafikantët përdornin dhunë për të mbrojtur aktivitetin e tyre dhe në disa raste nxisnin drejtuesit e motoskafeve të përplaseshin me forcat e policisë për t’i shpëtuar sekuestrimit.
Operacioni, i zhvilluar në bashkëpunim me Europol dhe autoritetet e Francës, Portugalisë e Polonisë, çoi në identifikimin e drejtuesve kryesorë të organizatës kriminale, e cila kishte vepruar prej vitesh në Mesdhe duke kombinuar trafikun e drogës me kontrabandën e emigrantëve.


