Aksident në rrugën drejt Malit të Tomorrit, plagosen 7 persona! Dy prej tyre dërgohen te Trauma

Aktualitet

Aksident në rrugën drejt Malit të Tomorrit, plagosen 7 persona!

Një aksident rrugor ka ndodhur këtë të premte në rrugën drejt Malit të Tomorrit, në fshatin Kapinovë të Beratit, ku një automjet doli nga rruga pasi, sipas të dhënave paraprake, pësoi defekt në sistemin e frenimit.

Automjeti që drejtohej nga shtetasi Dritan Muço, ka humbur kontrollin në vendin e quajtur “Sheshi i Danit”, në hyrje të fshatit Kapinovë. Mjeti është përplasur disa herë me bordurat anësore prej betoni dhe më pas ka dalë nga rruga.

Si pasojë e aksidentit mbetën të plagosur drejtuesi i mjetit dhe gjashtë pasagjerët: Matilda Muço, Luan Muço, Drilon Muço, Desard Muço, si dhe Marko dhe Xhesika Sojati.

Të plagosurit u transportuan me ambulancë drejt Spitalit Rajonal të Beratit. Pesë prej tyre, pasi morën ndihmën e parë mjekësore, u larguan nga spitali, ndërsa drejtuesi i automjetit, i cili ka pësuar dëmtime në sy, dhe bashkëshortja e tij, Matilda Muço, e cila ka marrë plagë më të rënda, janë dërguar për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë, të cilat kryen veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë një defekt mekanik, pasi gjatë ngjitjes drejt Malit të Tomorrit automjetit nuk i kanë funksionuar frenat, duke bërë që të rrëshqasë dhe të dalë nga rruga.

Policia bëri me dije gjithashtu se drejtuesi i mjetit iu nënshtrua testit të alkoolit, i cili rezultoi negativ.

ME TE LEXUARAT