Zbulohet mënyra për të rikthyer shikimin pa ndërhyrje me lazer

Shkencëtarët në Kaliforni kanë zhvilluar një metodë premtuese për të trajtuar problemet e shikimit pa pasur nevojë për prerje apo lazer. E quajtur riformësim elektromekanik (EMR), kjo qasje mund të bëhet një alternativë ndaj ndërhyrjes LASIK, por pa rreziqet që ajo mbart.
Ndryshe nga LASIK, që ndryshon përhershëm formën e kornesë duke hequr ind për të korrigjuar miopinë, hipermetropinë ose astigmatizmin, metoda EMR e riformëson kornenë në mënyrë kimike dhe jo invazive. Studiuesit përdorën një rrymë të lehtë elektrike për të ulur përkohësisht nivelin e pH-së së kornesë, gjë që zbut strukturën e kolagjenit dhe e bën atë të formueshëm.
Pas këtij zbutjeje, mbi korne vendoset një lente platini e projektuar posaçërisht. Forma e re e kornesë “bllokohet” sapo balanca kimike rikthehet, dhe procesi zgjat vetëm rreth një minutë. Testimet fillestare janë kryer në sy lepujsh, ku kornetë u riformësuan për të rikthyer fokusin normal, duke eliminuar plotësisht miopinë në disa raste.
Brian Wong, kirurg dhe profesor në UC Irvine, shpjegoi: “Po i shihja indet e gjalla si materiale të formueshme dhe zbulova të gjithë këtë proces të modifikimit kimik.” Bashkëpunëtori i tij, Michael Hill, theksoi se indet e pasura me kolagjen mbështeten te tërheqjet elektrike për të ruajtur formën e tyre.
Kjo risi mund të ketë ndikim të madh, veçanërisht në SHBA, ku 167 milionë njerëz mbajnë syze dhe 45 milionë përdorin lente kontakti. Një procedurë jo invazive, më e lirë dhe potencialisht e kthyeshme mund të ofrojë një zgjidhje të aksesueshme për shumë njerëz.
Megjithatë, kërkimi është ende në fazat fillestare dhe deri tani testet janë kryer vetëm te sy të pajetë lepujsh. Hapi i ardhshëm është provimi te kafshët e gjalla para se të mendohet për teste te njerëzit. Dr. Hill paralajmëroi: “Ka një rrugë të gjatë mes asaj që kemi bërë dhe klinikës. Por, nëse arrijmë atje, kjo teknikë është gjerësisht e zbatueshme, shumë më e lirë dhe potencialisht edhe e kthyeshme.”


