Regjistër elektronik për koncesionet dhe PPP-të, pagesat për kontratat do të bëhen publike

Soft

Regjistër elektronik për koncesionet dhe PPP-të, pagesat për

Qeveria synon të rrisë transparencën mbi kontratat e koncesioneve dhe partneriteteve publik-private (PPP) përmes krijimit të një regjistri elektronik kombëtar.

Në sistemin e ri pritet të publikohen të dhëna të detajuara për çdo kontratë, nga lloji dhe kohëzgjatja, deri te tarifat, pagesat dhe afatet e përfundimit.

Nisma parashikohet në projektvendimin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit “Për miratimin e rregullave për përmbajtjen dhe formën e regjistrit elektronik të koncesioneve dhe partneritetit publik-privat”, i cili synon të krijojë një bazë të unifikuar të dhënash për monitorimin dhe vlerësimin e ndikimit të koncesioneve në ekonomi.

Sipas relacionit që shoqëron projektvendimin, aktualisht informacioni mbi kontratat e koncesioneve dhe PPP-ve administrohet në mënyrë të fragmentuar nga autoritetet kontraktuese, pa ekzistuar një sistem të vetëm kombëtar që garanton standardizimin e informacionit, përditësimin periodik të të dhënave dhe monitorimin në kohë reale të kontratave.

“Kjo situatë krijon vështirësi në monitorimin institucional të kontratave, në analizimin e angazhimeve financiare të shtetit, në evidentimin e ndryshimeve kontraktore, si dhe në përgatitjen e raporteve për organet mbikëqyrëse dhe auditimin.

Në këtë kontekst, është e nevojshme krijimi i një regjistri elektronik të centralizuar, i cili do të shërbejë si baza zyrtare e të dhënave për të gjitha kontratat e koncesioneve dhe partneriteteve publik-private”, thuhet në relacionin e projektvendimit.

Çfarë të dhëna për koncensionet do të përmbajë regjistri?

Regjistri elektronik do të mbledhë dhe publikojë informacion të detajuar për çdo kontratë koncesionare apo PPP. Ndër të dhënat që do të jenë të aksesueshme për publikun përfshihen:

autoriteti kontraktues;

objekti dhe lloji i kontratës;

kohëzgjatja;

vlera e investimit;

vlera totale e kontratës;

tarifat dhe pagesat;

teksti i plotë i kontratës;

studimi i fizibilitetit;

dokumentacioni i procedurës së dhënies së koncesionit;

ndryshimet kontraktore;

transferimet e kontratës;

marrëveshjet e nënkontraktimit;

dokumentacioni mbi pronësinë;

dokumentet që lidhen me përfundimin e kontratës.

Sistemi do të ndërveprojë gjithashtu me regjistrin e Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), duke mundësuar marrjen automatike të të dhënave për operatorët ekonomikë.

Sipas projektvendimit, regjistri do të jetë publik dhe pa pagesë. Aksesi do të ofrohet duke respektuar kufizimet e parashikuara nga legjislacioni për mbrojtjen e të dhënave personale dhe të drejtën e informimit.

Përveç funksionit informues, sistemi do të shërbejë edhe si instrument monitorimi për institucionet shtetërore. Ai do të gjenerojë raporte periodike mbi ecurinë e kontratave, realizimin financiar dhe performancën e tyre, të cilat do të mund t’u vihen në dispozicion Ministrisë përgjegjëse për financat dhe institucioneve mbikëqyrëse.

Siguria e regjistrit elektronik do të garantohet nga AKSHI

Projektvendimi ngarkon Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) me përgjegjësinë për garantimin e funksionimit të sistemit elektronik, sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e të dhënave të regjistrit.

Sipas dokumentit, ngritja e regjistrit nuk do të kërkojë fonde shtesë nga buxheti i shtetit, pasi zbatimi i tij do të financohet brenda fondeve të miratuara për funksionimin e institucionit gjatë vitit 2026./Monitor

ME TE LEXUARAT