Cirroza e Mëlçisë: Si ta trajtoni natyralisht / Këshilla nga Ylli Merja për mëlçi të shëndetshme

Soft

Cirroza e Mëlçisë: Si ta trajtoni natyralisht / Këshilla

Cirroza e mëlçisë është një sëmundje serioze dhe kronike që dëmton funksionet jetike të këtij organi të rëndësishëm.

Kjo sëmundje mund të shkaktohet nga faktorë të ndryshëm, përfshirë konsumimin e tepërt të alkoolit, infeksionet virale, apo dhjamosjen e mëlçisë. Ajo përshpejton humbjen e funksionit të mëlçisë dhe mund të çojë në komplikime të rënda. Pavarësisht nga serioziteti i saj, cirroza mund të menaxhohet dhe në disa raste të ngadalësohet ose të parandalohen komplikimet, nëpërmjet masave të duhura. Specialisti i bimëve mjekësore Ylli Merja në “Rreze Dielli” në Report TV, tregon se si bimët medicinale mund të ndihmojnë në përmirësimin e shëndetit të mëlçisë dhe ofron mundësi alternative për trajtimin e cirrozës.

“Cirroza është një sëmundje që shkakton dëmtimin progresiv të mëlçisë. Kjo ndodh kur indi i saj i shëndetshëm zëvendësohet nga fibrozë (ind i ngurtësuar), duke e bërë organin më të fortë dhe me një strukturë të çrregullt. Pas këtij dëmtimi, mëlçia humbet aftësinë për të kryer funksionet e saj jetike, si pastrimi i trupit nga substancat e dëmshme, ruajtja e niveleve të balancuara të glukozës dhe prodhimi i bilës. Ky proces mund të çojë në pasojë të rënda për trupin, si çrregullime të tretjes, ruajtje të lëngjeve dhe ndikim në sistemin e gjakut. Mëlçia ka aftësi të rigjenerohet, por kur dëmtimi është i vazhdueshëm, procesi i shërimit është më i vështirë”, thekson Merja.
Shkaqet kryesore që çojnë në cirrozë të mëlçisë janë: konsumim i tepërt i alkoolit; hepatitet virale si B dhe C; dhjamosja e mëlçisë; medikamentet toksike për sëmundje të ndryshme, ankthi, stresi; çrregullimet metabolike.

Simptomat kryesore të Cirrozës dhe dallimi me mëlçinë e dhjamosur

Cirroza shpesh shoqërohet me simptoma të ndryshme që mund të ngatërrohen me ato të mëlçisë së yndyrshme. Simptomat kryesore të cirrozës përfshijnë:

* Lodhje e vazhdueshme

* Humbje e oreksit dhe rënie në peshë

* Enjtje këmbësh, rëndesë në këmbë

* Zverdhje lëkure dhe sysh

* Enjtje të barkut, ndjesi të rëndesës në stomak

* Gjakderdhje e lehtë nga goja

* Vështirësi në gëlltitje

* Konfuzion (encefalopati)

* Kruarje të lëkurës, gjurmë në lëkurë kur kruhet

* Gojë e thatë dhe e hidhur

Ndërsa mëlçia e yndyrshme shpesh nuk ka simptoma të rënda dhe mund të jetë një fazë e parëndësishme nëse zbulohet në kohë, cirroza është një fazë më e avancuar që ka nevojë për trajtim të menjëhershëm. Cirroza e avancuar është e pakthyeshme, por procesi ngadalësohet në rast se merren masat e duhura, thekson specialisti Ylli Merja.

Trajtimi alternativ i sëmundjes

Bimët mjekësore mund të luajnë një rol të rëndësishëm në rigjenerimin e mëlçisë dhe përmirësimin e funksioneve të saj. Mëlçia është i vetmi organ që mund të rigjerenohet, nëse dëmtimi ndalet në kohë.

“Mëlçia, ky laborator i heshtur që punon pa pushim pastron, ndërton, ruan balancën. Kur lodhet drita e saj zbehet, kur përkujdesemi ajo rilind me një fuqi të befasishme. Ka shumë bimë, të cilat qetësojnë inflamacionin, mbrojnë qelizat dhe e rigjenerojnë atë”, thotë Merja.
Si mund të ndihmojnë Bimët Mjekësore në trajtimin e Cirrozës?

Bimët mjekësore janë një mundësi e shkëlqyer natyrale për të mbështetur shëndetin e mëlçisë. Sipas Ylli Merjas, disa bimë mund të ulën inflamacionin, të përmirësojnë rrjedhën e bilës dhe të mbrojnë qelizat e mëlçisë nga dëmtimi. Disa nga bimët më të rekomanduara për trajtimin e cirrozës dhe rigjenerimin e mëlçisë janë:

* Lule Basani: Ul inflamacionin dhe është një antioksidant i shkëlqyer që mbështet detoksifikimin.

* Tambëlgjaku: Nxit lëvizjen e bilës dhe lehtëson ngërçet biliare.

* Gjembi i Gomarit: Stabilizon membranat e mëlçisë dhe mbështet rigjenerimin e saj.

* Angjinarja: Përmirëson metabolizmin e yndyrës dhe ndihmon në dhjamosjen e mëlçisë.

* Rozmarina dhe Rradhiqja: Nxisin qarkullimin e gjakut dhe përmirësojnë tretjen

* Rrënja e sanzës, ul dëshirën për alkool

* Lule murrizi: Mban ritmin e zemrës në ekuilibër, qetëson ankthin e stresin, rregullon tensionin e përgjithshëm, inflamacionin, murin e enëve të gjakut.

* Mendra e butë: Lehtëson spazmat e traktit tretës, përmirëson fryrjen, të përzierat. * Kurkumina dhe boronica: Antiinflamatore të fuqishëm, reduktojnë progresionin e fibrozës, pengojnë zhvillimin e mëtejshëm.

* Hirra e djathit ul dhjamosjen e mëlçisë, ndërsa rigoni dhe karafili janë anti-viralë të fuqishëm.

Sipas specialistit të bimëve mjekësore Ylli Merja, sinergjia bimore është shumë e rëndësishme.

Ja kombinimet më të mira për rigjenerimin e mëlçisë

Gjembgomari dhe angjinare – mbrojnë qelizat dhe përmirësojnë bilën

Rozmarina, boronica, kurkumina – shtylla të forta antioksiduese

Lulebasani, murrizi, bar blete – qetësojnë stresin, ulin inflamacionin

Mendra, rigoni, bar blete – harmonizojnë tretjen.

Siç thekson Merja, kombinimet e duhura bimore mund të ofrojnë mbrojtje të fuqishme për mëlçinë dhe të ndihmojnë në përmirësimin e funksionit të saj. Kjo është një mundësi për ata që duan të mbështesin procesin e rikuperimit dhe të kujdesen për shëndetin e tyre në mënyrë natyrale, por sigurisht duke ndjekur dhe këshillat e mjekut specialist./Shqiptarja

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion