Kthesë e fortë, Autoriteti i Konkurrencës merr në kontroll ndihmën shtetërore në bujqësi e peshkim

Aktualitet

Kthesë e fortë, Autoriteti i Konkurrencës merr në kontroll
Autoriteti i Konkurrencës do të marrë nën kontroll ndihmën shtetërore në Shqipëri kompetenca të cilat do të nisin zbatimin pas 1 korrikut të vitit të ardhshëm.

Qeveria ka miratuar dje ndryshimet në projektligjin për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për ndihmën shtetërore” ku Komisioni aktual i Ndihmës Shtetërore do të pushojë së funksionuari në 2027.

Sipas ndryshimeve, Komisioni i Konkurrencës do të bëhet organi vendimmarrës për ndihmën shtetërore, ndërsa pranë Autoritetit do të krijohet një strukturë e posaçme për shqyrtimin, hetimin dhe monitorimin e skemave të mbështetjes.

Një risi e rëndësishme në projektligj është përfshirja e plotë në fushën e zbatimit të ligjit edhe e sektorëve të bujqësisë, peshkimit dhe akuakulturës, krahas sektorëve të tjerë të prodhimit dhe shërbimeve.

“Ministria përgjegjëse për bujqësinë, Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, si dhe institucionet e tjera publike, që administrojnë ose zbatojnë skema të ndihmës shtetërore në sektorët e bujqësisë, peshkimit, gjatë periudhës kalimtare, vënë në dispozicion të Autoritetit të Konkurrencës dokumentacionin, regjistrat, bazat e të dhënave dhe informacionin për skemat ekzistuese dhe ndihmat individuale, sipas procedurave të përcaktuara për procesin e transferimit”, thuhet në projektligj.

Një tjetër ndryshim konkret është detyrimi për dhënësit dhe përfituesit e ndihmës shtetërore, institucionet publike dhe subjektet e tjera që disponojnë informacion të nevojshëm, për të bashkëpunuar me Autoritetin e Konkurrencës dhe për të dorëzuar dokumentacionin e kërkuar brenda afateve të përcaktuara.

Mosdhënia e informacionit, paraqitja e të dhënave të pasakta ose të rreme, mosraportimi dhe moszbatimi i vendimeve të Komisionit të Konkurrencës do të përbëjnë shkelje administrative.

Autoriteti do të ketë gjithashtu kompetencë të urdhërojë pezullimin, ndryshimin ose kthimin e ndihmës shtetërore të paligjshme ose të papajtueshme me ligjin.

Projektligji parashikon që Autoriteti i Konkurrencës të paraqesë në Kuvend, deri më 30 qershor të çdo viti, raportin për zbatimin e rregullave të ndihmës shtetërore gjatë vitit pararendës.

Ndryshimet synojnë përqendrimin e kontrollit të ndihmës shtetërore në një institucion të pavarur, rritjen e transparencës dhe forcimin e mbikëqyrjes mbi mënyrën se si përdoren fondet publike për mbështetjen e bizneseve.

Projektligji parashikon gjithashtu përafrimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor shqiptar me rregullat e Bashkimit Evropian për ndihmën shtetërore.

Ky projektligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion