“Skifterët” fluturojnë në Angli/ Dënohet Dionis Doku, grabiti 9 shtëpi, në vlerën 500 mijë stërlina

Aktualitet

“Skifterët” fluturojnë në Angli/ Dënohet Dionis

Pasi u bënë të famshëm për grabitjet e shtëpive në Greqi, Itali, Spanjë dhe Francë, ata që janë pagëzuar si skifterët shqiptarë, tashmë e kanë zhvendosur aktivitetin kriminal në Britaninë e Madhe.

Në javën që po lëmë pas, 5 shqiptarë janë dënuar në shtetin ishullor si të përfshirë në grabitje shtëpish. Sipas njoftimit të policisë së Kentit në jug të Anglisë, shqiptari Dionis Doku është dënuar me 3 vite dhe 10 muaj burg për një seri grabitjesh. Detektivët që hetuan nëntë grabitje shtëpish prej 45-vjeçarit nga Sanxhaku i Krujës arritën të identifikonin ADN-në e tij në një shishe me spraj antibakterial, të cilën ai e kishte përdorur për të pastruar vendin e ngjarjes.

Dionis Doku vodhi çanta të markave luksoze dhe bizhuteri me vlerë mbi gjysmë milioni paund nga 9 prona në Kent, Londër, Buckinghamshire dhe Surrey.

Ndërsa ndodheshin në zonë për të mbledhur pamjet e disponueshme nga kamerat e sigurisë (CCTV), patrullat e policisë e vunë re Dokun në një stacion autobusi në Uxbridge Road dhe e arrestuan.

Ndërkohë, Policia Metropolitane e Londrës thotë se katër shqiptarë, të cilët shënjestronin banesat e aziatikëve me qëllim grabitjen, u kapën pas një hetimi disa mujor.

Çlirim Ferizi dhe Oresti Saliaj janë dënuar me një total prej pesë vitesh e gjashtë muajsh burgim. Ata u zbuluan nga pamjet e kamerave të sigurisë, ADN-ja e gjetur në shtëpitë e grabitura dhe qelizat telefonike.

Kartat Oyster që përdornin në metro ndihmuan policinë për të faktuar lëvizjet në zonat e shtëpive të grabitura.

Po ashtu, janë dënuar edhe bashkëpunëtorët e tyre. Ata janë Dionis Hetaj, 35 vjeç, bashkë me Arben Cukën, 31 vjeç. Të hënën, më 19 janar 2026, policia u njoftua për një vjedhje që po ndodhte në një banesë në Ealing.

Policët mbërritën brenda pak minutash dhe gjetën Dionis Hetajn mbi çatinë e banesës, duke tentuar t’i shmangej arrestimit.

Me mbështetjen e Njësisë së Qenve të Policisë Metropolitane, ai u kap shpejt dhe iu gjet në posedim një levë hekuri, si dhe sende të vjedhura nga banesa e viktimës.

Cuka u lokalizua dhe u arrestua më vonë, të mërkurën, më 4 mars. Të dy personat u dënuan me një total prej pesë vitesh burgim në Gjykatën e Kurorës në Isleworth.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion