Skandali me kremrat kundër diellit, Australia përgatit rregulla më të forta për prodhuesit

Australia po përgatit rregulla më të forta për prodhuesit e kremrave kundër diellit, pas një skandali që zbuloi se disa marka të njohura nuk ofronin mbrojtjen SPF që reklamonin bën të ditur një artikull i BBC.
Reformat e propozuara nga Administrata e Mallrave Terapeutike (TGA) parashikojnë testime më të rrepta, kontrolle të përsëritura dhe detyrimin që prodhuesit të dorëzojnë të dhënat e testeve që në momentin e regjistrimit të produktit.
Skandali shpërtheu pas një raporti të organizatës për mbrojtjen e konsumatorëve “Choice”, publikuar në qershor 2025. Testimet treguan se 16 nga 20 kremrat e analizuar nuk përmbushnin nivelin e mbrojtjes së deklaruar në etiketa.
Mes tyre kishte edhe produkte të markave premium, me çmime të larta. Një prej rasteve më të bujshme ishte kremi “Lean Screen Skinscreen” i markës “Ultra Violette”, i reklamuar me SPF 50+, por që në testime rezultoi se ofronte vetëm SPF 4. Produkti u tërhoq vullnetarisht nga tregu.
Sipas TGA-së, ndryshimet synojnë të garantojnë që pretendimet për faktorin e mbrojtjes nga dielli të mbështeten në prova të besueshme. Prodhuesit do të duhet të kryejnë testime periodike gjatë gjithë kohës që produktet qëndrojnë në treg, ndërsa do të kufizohen edhe pretendimet për SPF që mund të bëjnë disa produkte kozmetike, për të dalluar qartë ato që ofrojnë mbrojtje kryesore nga rrezatimi ultraviolet.
Skandali shkaktoi reagime të forta në Australi, vendi me shkallën më të lartë të kancerit të lëkurës në botë. Më shumë se një duzinë produktesh u hoqën nga raftet ose iu pezullua shitja. TGA bëri të ditur se reformat do të zbatohen në disa faza, ndërsa ndryshimet në etiketimin e produkteve do të vendosen pas konsultimeve të mëtejshme.
Organizata “Choice” e mirëpriti nismën, por kërkoi masa edhe më të forta. Sipas saj, rezultatet e testeve nuk duhet t’i dorëzohen vetëm autoritetit, por të bëhen publike dhe të monitorohen rregullisht, për të garantuar transparencën dhe sigurinë e konsumatorëve.


