Skandale Politike VS Skandale Erotike

Skandalet e fundit në Shqipëri duket se kanë prekur dy skaje që në pamje të parë, nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin, por që në realitet mund të kenë pika takimi dhe të shërbejnë si derivate të së njëjtës klimë politike, por dhe asaj të jetës publike.
Pak ditë më parë, në qendër të vëmendjes ishte drejtuesja e SHISH dhe komunikimet e saj me një biznesmen të ashtuquajtur “kontravers”.
Çështja mori përmasa të mëdha për shkak të pretendimeve se nga një funksion kaq i rëndësishëm mund të ishin përcjellë informacione te një person i kërkuar nga drejtësia dhe i akuzuar nga kjo e fundit me dosje konkrete.
Mesazhet mes tyre ishin po aq kompromentues dhe po aq dhe një alarm për pozicionin delikat të drejtueses së sherbimit të sekreteve shtetërore.
Por, vetëm pak ditë më vonë, në rrjet nisën të qarkullojnë video intime ku shfaqet një tjetëe person publik, këtë herë një kompozitor, së bashku me disa këngëtare e persona publikë në momente intimiteti.
Edhe në këtë rast, një nga pyetjet kryesore mbetet se si janë siguruar këto pamje dhe si kanë përfunduar kaq shpejt në rrjetet sociale.
Po ashtu disa aludime mediatike thonë se këto materiale qarkullonin edhe më herët, çka nënkupton që nxjerrja e tyre mund të jetë e organizuar.
Privatësia është një e drejtë që duhet respektuar dhe jeta personale e askujt nuk duhet të kthehet në material publik vetëm për shkak të interesit të turmës. Por, përtej përmbajtjes së videove, ekziston një tjetër çështje që meriton vëmendje: Kush i ka pasur këto materiale, si janë siguruar dhe përse janë publikuar pikërisht në këtë moment?
Pa prova konkrete, do të ishte e gabuar të thuhej se bëhet fjalë për shantazh apo për një skenar të organizuar. Megjithatë, vetë mënyra dhe koha e rrjedhjes së materialeve krijon hapësirë për pikëpyetje.
A ishin këto materiale prej kohësh në duart e dikujt dhe u përdorën në momentin e duhur? Apo bëhet fjalë thjesht për një rrjedhje të materialeve private që nuk ka lidhje me zhvillimet e tjera?
Sepse, në fund të fundit, çështja nuk është vetëm se çfarë shfaqet në një video. Çështja më e madhe është se kush i siguron këto materiale, kush i nxjerr në publik, për çfarë qëllimi dhe pse pikërisht në këtë moment kur në Shqipëri ziejnë skandalet e korrupsionit. A po hiqet vëmendja apo kemi të bëjmë me një skandal të show-bizit që shpërtheu “rastësisht” në kohën e duhur.


