‘Shqiponja’ bashkon Hysën dhe Kabayel para grushteve në Dyseldorf/ 42-vjeçari: Do t’u dhuroj shqiptarëve diçka të veçantë

Sport

‘Shqiponja’ bashkon Hysën dhe Kabayel para grushteve në

Ndeshja e madhe pothuajse trokiti. Nelson Hysa është 24 orë larg duelit historik për boksin shqiptar kundër kampionit Agit Kabayel, teksa në Duseldorf është mbajtur edhe konferenca zyrtare, por edhe shikimi ‘face to face’ siç njihet në këtë sport.

Në konferencën për shtyp të zhvilluar në Gjermani, Hysa nuk e fshehu respektin për kundërshtarin, por theksoi se emri dhe rezultatet e Kabayelit nuk e bëjnë atë të pamposhtur.

“Është një ndeshje e madhe për mua dhe për vendin tim. Është kënaqësi të ndaj ringun me një boksier të madh si Agit Kabayel. Ai është një boksier shumë i mirë, por kjo nuk do të thotë se unë nuk mund ta mund,” u shpreh fillimisht Hysa.

42-vjeçari shqiptar, i cili është sfidant për titullin WBC, iu përgjigj drejtpërdrejt gazetarit që vendosi në dyshim aftësitë e tij për të mposhtur kampionin në fuqi Agit Kabayel.

“Nëse nuk beson në fitoren time … duhet të besosh, sepse gjithçka është e mundur në jetë dhe në boks. Nuk kam ardhur këtu për shaka. Kam ardhur për të fituar, jam përgatitur për të fituar dhe do të fitoj,”- deklaroi Hysa.

Shkodrani e sheh këtë përballje përtej një sfide sportive. Data 28 nëntor, kur zhvillohet dueli, përkon me Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, dhe Hysa dëshiron t'u dhurojë shqiptarëve një arsye të veçantë për të festuar.

Ai zbuloi gjithashtu se, në rast të triumfit, dëshiron që përballja e radhës me Kabayelin të zhvillohet në Shqipëri, duke ftuar tifozët të bëhen pjesë e një feste të madhe boksi.

“Dua t'u jap shqiptarëve diçka të veçantë në këtë ditë kaq të rëndësishme për ne. Nëse fitojmë, duam që revanshi të zhvillohet në Shqipëri”, ishte mesazhi i tij.

Gjatë konferencës, Hysa falënderoi edhe organizatorët për mundësinë e kësaj sfide, duke e cilësuar atë si një moment të rëndësishëm për karrierën e tij dhe për boksin shqiptar. Moment i veçantë ishte edhe vendosja ‘face to face’ ku Hysa bashkë me Kabayel bënë me duar simbolin e shqiponjës sëbashku.

Dy karriera të pamposhtura, por me rrugëtime të ndryshme

Përballja mes Nelson Hysës dhe Agit Kabayelit është interesante edhe për shkak të rrugëtimit krejt të ndryshëm që dy boksierët kanë ndjekur në boksin profesionist.

Nelson Hysa, në moshën 42-vjeçare, vjen në këtë sfidë me një rekord perfekt prej 25 fitoresh në 25 ndeshje, ku 23 prej tyre janë arritur me nokaut. Ai iu drejtua boksit profesionist në moshën 37-vjeçare, pas një përvoje të gjatë në boksin amator, dhe brenda pak vitesh ka arritur të ndërtojë një bilanc mbresëlënës, duke u shndërruar në një nga emrat më të rëndësishëm të boksit shqiptar.

Në anën tjetër, Agit Kabayel, 34 vjeç, ka një rekord prej 27 fitoresh në 27 ndeshje profesioniste, me 19 fitore me nokaut. Gjermani me origjinë kurde ka mbi 15 vite karrierë si profesionist dhe ka ndërtuar emrin e tij përmes përballjeve me kundërshtarë të nivelit të lartë, si Derek Chisora, Arslanbek Makhmudov, Frank Sanchez dhe Zhilei Zhang.

Ndryshe nga Hysa, i cili ka përshkuar një rrugë të shpejtë drejt majës pas debutimit të vonë si profesionist, Kabayel ka pasur një karrierë më të gjatë në nivelet e larta të këtij sporti. Ai mban aktualisht titullin botëror WBC në peshën e rëndë, të cilin do ta mbrojë për herë të parë ndaj shqiptarit.

Në shifra, Hysa ka një përqindje më të lartë fitoresh me nokaut, ndërsa Kabayel ka më shumë përvojë në përballjet me emra të njohur të boksit botëror.

Të dy hyjnë në ring të pamposhtur, por vetëm njëri do të dalë me titullin botëror. Për Nelson Hysën, kjo është mundësia për të kurorëzuar një rrugëtim të pazakontë dhe për të shkruar një faqe historike për sportin shqiptar.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion