Rrezikon deri në 4 vite burg për falsifikim, Gjykata merr vendimin nesër për Luiz Ejllin
Këngëtari Luiz Ejlli ende nuk i ka mbyllur problemet me drejtësinë. Më datë 26 shkurt, Gjykata e Fierit pritet të japë vendimin për Luiz Ejllin, i akuzuar për veprën penale falsifikim dokumentesh kryer në bashkëpunim. Seanca për t’u paraqitur ishte caktuar data 12 shkurt, por u shty për më 26 shkurt ora 12:45.
Dosja ndaj tij kaloi për gjykim me datën 26 dhjetor 2022, dhe sipas Kodit Penal ai rrezikon nga 6 muaj deri në 4 vite burgim. Pasi prokuroria të japë pretencën do të jetë radha e avokatëve, e cila do të bëjë mbrojtjen dhe më pas gjykata do të vendosë.
Këngëtari Luiz Ejlli akuzohet se gjatë kohës që ka ushtruar profesionin e avokatit ka falsifikuar një deklaratë noteriale për të justifikuar paratë e një personi që ishte në hetim. Kjo histori nis në vitin 2021, aty ku prokuroria do të kërkonte sekuestrot e pasurive të shtetasit F.A., si të pajustifikuara me burime të ligjshme.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Sekuestro e kërkuar asokohe nga Prokuroria e Lushnjës do të pranohej nga gjykata më 28 nëntor të vitit 2021. Pak muaj pas kësaj sekuestro shtetasi F.A ,i cili po ashtu është i bashkëpandehur me Ejllin ka depozituar një deklaratë noteriale bërë te noteri Luiz Ejlli. Më 25 shkurt 2022, shtetasi F.A paraqet në prokurori deklaratën noteriale e cila sipas tij, ishte bërë te zyra noteriale e Luiz Ejllit më datë 16 dhjetor 2015 dhe mbante të dhënat si në faximile “nr 663 Rep, Nr 213 Kol datë 16.12.2015”.
Kjo deklaratë sipas prokurorisë, kishte përmbajtjen e marrjes së një huaje në dy këste nga 2008-2015 prej 151 mijë euro dhe 2011-2015 prej 60 mijë euro, para të cilat bashkëshortja e shtetasit F.A i kishte marrë për të shlyer një kredi. E pikërisht kjo deklaratë s’ishte gjendur në arkivat e Ministrisë së Drejtësisë në përgjigje të kërkesave për informacion, kërkesa në kuadër të hetimit pasuror që po kryente Prokuroria e Lushnjës.
Kaq ka mjaftuar që Prokuroria të krijojë dyshime se mund të ketë një shkelje ligjore dhe ka thelluar hetimet duke zbuluar zyrën noteriale të Luiz Ejllit e po ashtu, dhe veprimet e bëra disa vite më parë. Prokuroria ka kërkuar në arkivat e noterit Luiz Ejlli të dhëna për këtë deklaratë noteriale dhe ajo rezulton si deklaratë, por në emër të një tjetër shtetasi dhe aspak bashkëshortes së shtetasit F.A për të cilin hetimi pasuror ishte finalizuar me sekuestro.