Një ditë pas ditëlindjes/ Aktorja e njohur turke ndërron jetë në moshën 35-vjeçare, nëna e saj e gjeti...

Aktorja turke, Ece Irtem, e njohur për rolin e saj si Isil në serialin “One Love”, ka ndërruar jetë në moshën 35-vjeçare.
Mediat turke shkruajnë se ajo u gjet e pajetë në banesën e saj ditën e hënë, vetëm një ditë pas ditëlindjes së saj. Sipas raportimeve fillestare, shkak i vdekjes dyshohet të ketë qenë një atak në zemër.
Ndërkohë thuhet se ka qenë nëna e saj që ka gjetur trupin e pajetë. Duke qenë se ajo ende nuk ishte zgjuar rreth mesditës, e ëma shkoi te dhoma e saj ku e gjeti të vdekur, e si pasojë ajo pësoi një krizë nervore.
E lindur më 14 qershor 1991 në Sivas, Ece Irtem ndoqi studimet e larta në Universitetin Yasar, ku u diplomua në vitin 2014 në degën e Operës dhe Performancës Vokale, duke u renditur e treta në klasën e saj.
Gjatë viteve të studimeve, 35-vjeçarja punoi dhe u formua profesionalisht pranë emrave të njohur të muzikës klasike, mes tyre sopranoja Aytul Buyuksaraç, drejtori i Operës dhe Baletit Shtetëror të Izmirit, tenori Levent Gunduz, Paolo Susanni, Esra Mamak dhe mezo-sopranoja Anna Chubuchenko.
Që në fëmijëri, Irtem ishte e lidhur me sportin. Paralelisht, ajo shfaqi herët pasionin për aktrimin, duke shkruar dhe interpretuar skenare të vogla në shfaqjet shkollore.
Pas transferimit në Stamboll, ajo vijoi formimin e saj në aktrim në Qendrën Kulturore Sadri Alisik gjatë viteve 2014-2015, ku mori mësime nga emra të njohur si Kayhan Yildizoglu, Okday Korunan, Kadim Yasar dhe Tolga Çiftçi.
Ece Irtem u bë e njohur për publikun e gjerë sidomos për rolin e saj si Isil në serialin turk “One Love”, një dramë televizive me shikueshmëri të lartë, e cila i dha asaj një popullaritet të konsiderueshëm edhe jashtë Turqisë, përfshirë edhe publikun shqiptar që ndjek produksionet turke.


