Georgina Rodriguez u përgjigjet kritikave për pamjen: I dua format e mia trupore! (FOTO)

Georgina Rodriguez ka reaguar publikisht pasi u përball me një valë kritikash në rrjetet sociale për pamjen e saj fizike. Partnerja e Cristiano Ronaldos publikoi disa fotografi me rroba banje dhe shfrytëzoi rastin për të përcjellë një mesazh mbi vetëpranimin, duke theksuar se vlera e një njeriu nuk përcaktohet nga pamja e jashtme.
Modelja dhe influencuesja u shpreh se ndryshimet fizike janë pjesë normale e jetës dhe nuk duhet të shërbejnë si arsye për gjykim.

“Trupi im do të ndryshojë, siç ndryshojnë të gjitha trupat e grave. Dhe shpresoj që kjo të vazhdojë të ndodhë për shumë vite, sepse kjo do të thotë që unë jam ende gjallë. Nëse ka një gjë që dua t’u mësoj fëmijëve të mi, është se vlera e një personi nuk mund të varet kurrë nga pamja e tij fizike apo nga mendimet e të huajve”, tha Georgina.
Ajo zbuloi gjithashtu një bisedë me Cristiano Ronaldon, pasi u shqetësua nga komentet që e quanin “të shëndoshë”.

“I thashë Cris-it: ‘Jam e shqetësuar se po më quajnë të shëndoshë tani’. Ai m’u përgjigj: ‘Ti nuk jeton sipas imazhit tënd. Ti jeton sipas asaj që je. Je një grua e bukur, një nënë, një person i mirë dhe e suksesshme. Është normale që njerëzit të të kenë zili’”, rrëfeu ajo.

Në reagimin e saj, Georgina kritikoi edhe standardet e bukurisë që, sipas saj, i imponohen grave.

“Është qesharake që kjo ndodh çdo verë. Çdo vit trupi im është përsëri në lajme. Kush vendos se çfarë është një trup ‘i duhur’? Unë stërvitem sepse më bën të lumtur dhe sepse dua të kujdesem për veten”, u shpreh ajo.
Në fund të mesazhit, Rodriguez theksoi se nuk ka ndërmend të përshtatet me standardet e të tjerëve. “I dua format e mia trupore dhe lirinë për të jetuar në trupin që zgjedh. Për mua, suksesi i vërtetë është të jetosh në paqe, të kujdesesh për shëndetin dhe të jesh pranë njerëzve që do”, përfundoi Georgina.


