Rikthehen fajdet, arrestohen dy persona

Kosovë&Rajon

734563-1vmhpzaMAN.jpg
Dy persona janë arrestuar në Gjakovë nën dyshimin se i kishin dhënë para me kamatë një personi tjetër, në një rast që Policia e Kosovës e ka cilësuar si vepër penale të fajdesë.

Sipas Policisë, rasti është raportuar më 24 shtator, rreth orës 14:00, ndërsa pas hetimeve janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj, shtetas të Kosovës.

Gjatë kontrollit të shtëpive të të dyshuarve, policia ka gjetur dhe sekuestruar dëshmi që dyshohet se lidhen me rastin, si dhe disa fishekë.

Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa rasti është duke u hetuar.

Kujtojmë se fajdeja, sipas Kodit Penal të Kosovës, është vepër penale dhe në raste të ndryshme është shoqëruar edhe me forma të tjera të presionit ndaj viktimave, përfshirë detyrimin dhe kanosjen.

Për luftimin e kësaj dukurie, Policia e Kosovës ka zhvilluar në vitet e fundit disa operacione në rajone të ndryshme të vendit dhe ka krijuar edhe një task-forcë të veçantë për hetimin e rasteve të fajdesë.

Rasti i fundit në Gjakovë është një tjetër hetim ndaj personave të dyshuar për dhënie të parave me kamatë, ndërsa organet e drejtësisë do të përcaktojnë përgjegjësinë e tyre penale.

Sipas Policisë së Kosovës, sa i përket krimeve financiare, vitin e kaluar janë ngrirë dhe sekuestruar asete në vlerë rekord prej rreth 113 milionë euro, ku një pjesë e konsiderueshme rasteve ndërlidhet pikërisht me hetimet e fajdeve, pastrimit të parave dhe krimit të organizuar. 

ME TE LEXUARAT