Rama inspekton spitalin e ri të Kardiokirurgjisë: Nuk duhet të kemi kufizim në ...

Politikë

Rama inspekton spitalin e ri të Kardiokirurgjisë: Nuk duhet të

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar financime të mëtejshme për Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, duke deklaruar se synimi i qeverisë është që nevojat e mbetura të QSUT-së të adresohen përmes buxhetit të vitit 2027.

Gjatë një inspektimi në ambientet e reja të Kardiokirurgjisë, Rama u ndal te investimet e realizuara deri tani, por edhe te ndërhyrjet që, sipas tij, nevojiten për kompletimin e mëtejshëm të qendrës më të madhe spitalore në vend.

Kryeministri tha se financimi i QSUT-së nuk duhet të kufizohet në një nivel që lë pa zgjidhje nevoja të identifikuara nga vetë institucioni. Objektivi, sipas tij, është që këto kërkesa të përfshihen në planifikimin financiar për vitin e ardhshëm.

“Nuk duhet të kemi kufizim në buxhetin e QSUT për sa i përket kompletimit të nevojave. Do të duhet t’i adresojmë të gjitha me buxhetin e vitit 2027. Kjo është ambicia”, deklaroi Rama.

QSUT ka qenë gjatë viteve të fundit objekt i një sërë projektesh infrastrukturore dhe rikonstruksionesh. Mes ndërhyrjeve të njoftuara nga qeveria janë Kardiokirurgjia, Pediatria Infektive, shërbimi i djegie-plastikës dhe parkingu i ri multifunksional.

Deklarata e kryeministrit sinjalizon se investimet në kompleksin spitalor pritet të vazhdojnë edhe gjatë vitit 2027, me synimin e deklaruar për të mbuluar nevojat infrastrukturore dhe funksionale që mbeten ende të paplotësuara.

ME TE LEXUARAT