Qëlloi me ar'më shokun në pyll, zbardhen detajet e ngjarjes mes gjahtarit nga Tirana dhe viktimës nga Bulqiza

Vrasja me armë gjahu çifte e Elson Lalës në një zonë pyjore të Bulqizës, ka çuar policinë e qytetit të kryejë hetime shteruese për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.
Rasti në fjalë ka ngritur disa pikëpyetje për hetuesit e çështjes, pasi autori i krimit Bledian Firi është nga Tirana dhe viktima nga Bulqiza.
Pavarësisht se krimi është paraqitur si aksidentale, policia ka ngritur dyshime për këtë ngjarje të rëndë, dhe po heton lidhur me ndonjë konflikt të mundshëm mes dy personave.
Të dy njiheshin me njëri-tjetrin dhe së bashku mëngjesin e djeshëm ishin takuar për të shkuar për gjah në një zonë malore, me qëllim për të vrarë kafshë të egra. Burimet pranë komisariatit të Bulqizës thanë për gazetarin Elton Qyno, se Bledian Fili, ka udhëtuar nga Tirana për të takuar mikun e tij në Bulqizë.
Sipas dëshmisë që ka dhënë në komisariatin e Bulqizës, Bledian Fili, se kur janë çuar lart në mal, janë ndarë në një distancë rreth 200 metra larg njëri-tjetrit, me qëllim për të konstatuar derra të egër, lepuj ose sorkadhe.
Fili ka treguar se papritur sulmi i një ariu i ka nxjerrë situatën nga kontrolli në mal. Sulmi ka ndodhur në një distancë të afërt, ndaj është detyruar të qëllojë me çiften që kishte në duart.
Fili, u ka treguar oficerëve se nuk ka mundur të qëllojë Ariun por shokun e tij, Elson Lala, i cili sipas tij ndodhej në një distancë 150 metra duke e lënë të vdekur në vend
Ai ka treguar se nga e shtëna e çiftes kafsha e egër është trembur dhe larguar. Ndërsa ka vënë re se miku i tij ishte shtrirë në tokë. Kur është afruar pranë tij, ka kuptuar se në pjesën e fytyrës ka pasur plagë të rënda dhe gjakderdhje.
Bledian Fili, ka qëndruar në vendngjarje derisa ka mbërritur policia e Bulqizës, ku dhe ka kryer arrestimin e tij. Ndërkohë trupi i pajetë i Elson Lalës është çuar për ekspertim në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Nga këqyrja e jashtme e trupit të viktimës, ai nuk ka pasur shenja karakteristike të një sulmi nga një kafshë e egër (Ari). Plagët e rënda të shkaktuara me armë zjarri janë konstatuar në pjesën e fytyrës, ku janë sekuestruar dhe saçmat metalike të nxjerra nga çiftja.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy armët e gjahut të autorit të krimit, Bledian Firi dhe viktimës Elson Lalës. Njëherësh si prova material janë sekuestruar gëzhoja e fishekut si dhe dy aparatet telefonike të viktimës dhe autorit të krimit, të cilët do këqyren dhe ekspertohen.
Aktualisht hetimet kanë nisur ndaj Firit për akuzën e “Vrasjes me dashje” ndërkohë nuk përjashtohen hetimet edhe për akuzën e “Vrasjes së kryer nga pakujdesia”. Pritet që ditën e sotme kjo ngjarje të sqarohet më tej pasi një seri veprimesh hetimore janë duke u kryer nga policia.


