Putin e fton për bisedime, Zelensky përgjigjet me ironi: Në Moskë vetëm me raketë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e hodhi poshtë sfidën e Vladimir Putinit për të udhëtuar drejt kryeqytetit rus për bisedime.
Shefi i Kremlinit vazhdon ta shmangë një takim personal me të, por e fton që Zelenski të shkojë në Rusi. Gazetarë rusë pro-qeverisë e provokuan kreun e shtetit ukrainas teksa kalonte pranë tyre në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.
“Volodymyr Oleksandrovich, kur do të shkojmë në Moskë?”, e pyeti njëri prej tyre. Zelensky iu përgjigj shkurt: “Atje do shkoj me një raketë”
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u shpreh më vonë se pala ruse nuk e interpretoi deklaratën e Zelenskyt si përjashtim të mundësisë së një vizite në Moskë. “Nuk m`u duk se tha që nuk do të vijë. Unë nuk kam dëgjuar asgjë të tillë”, u shpreh Peskov, duke shtuar: “Zelensky po bën shumë deklarata në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme”.
Për herë të fundit, Zelensky dhe Putin janë takuar personalisht në Paris në dhjetor të vitit 2019, gjatë bisedimeve të Formatit të Normandisë, të ndërmjetësuara nga Franca dhe Gjermania. Që prej nisjes së pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në 2022-shin, ata nuk kanë zhvilluar më bisedime të drejtpërdrejta me njëri-tjetrin.
Zelensky e ftoi Putinin në Stamboll për bisedime më 16 maj 2025, duke propozuar një takim trepalësh me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, për të avancuar përpjekjet për paqe. Putin refuzoi të merrte pjesë dhe në vend të tij dërgoi një delegacion të kryesuar nga këshilltari presidencial Vladimir Medinsky.
Pas takimit me Putinin në Alaskë në gusht 2025, Trump tha se po punonte për të ndërmjetësuar një takim mes liderëve rus dhe ukrainas, por shtoi se Putini e shmang takimin me Zelenskyn sepse “nuk e pëlqen atë”.


