Publikohen fotot, i kërkuan 100 mijë euro Armand Dukës, kush janë dy të rinjtë e arrestuar

Edison Korra dhe Orest Balla janë dy të rinjtë e arrestuar gjatë ditës së sotme, gjatë një operacioni policor.
Ata dyshohen për mashtrim, pasi i kanë kërkuar 100 mijë euro kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Dukës.Dyshohet se këta persona kanë kërkuar shumën e parave në emër të kreut të Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla.
Agjentë të infiltruar kanë ndërhyrë,në momentin që do të dorëzoheshin paratë. Dy të arrestuarit dyshohet se kanë vepruar nën urdhrat e mashtruesit të njohur, Florian Gjergji.
Gjergji është një emër i njohur për policinë dhe kjo nuk është hera e parë që përfshihet në skema mashtrimi.
Si ndodhi ngjarja?
Një operacion me arrestimin e dy të rinjve është finalizuar gjatë ditës së sotme në Tiranë.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se personit që i është kërkuar shuma prej 100 mijë eurosh është kreu i FSHF-së Armamd Duka. Ndërsa dy të arrestuarit janë prezantuar në aplikacionin Sinjal si Taulant Balla.
Fillimisht shuma është kërkuar në kriptomonedha, por më pas është dakortësuar që të dorëzohej në euro.
Të njëjtat burime sqarojnë se dorëzimi i parave është bërë nga agjentë të infiltruar dhe arrestimi ka qenë në flagrancë. Ndërsa dorëzimi është bërë në Elbasan ku jetonin dy të arrestuarit, raporton gazetarja Xhensila Kodra.
Denoncimi në polici është bërë nga vetë Duka, i cili ka dyshuar se kishte rënë pre e mashtrimit. Mesazhi i mbërritur në celularin e tij nga dy të arrestuarit thuhej se duke u prezantuar si Taulant Balla, Duka duhet të dërgonte shumën e parave tek adresa që ia kishin dhënë dy të rinjë, duke u hequr si të njohur të Ballës.
Pas arrestimit, ata nuk kanë pranuar të japin deklarime të hollësishme për policinë se kush fshihet pas tyre, ndërsa dyshimet kryesore bien mbi Florian Gjergjin.
Ndërkohë, gjatë komunikimit Duka iu ka thënë të arrestuarve që “lidhuni me djalin tim, sepse nuk marr vesh nga këto gjëra për kriptomonedha”.
Në telefon dy të arrestuarve i ka dalë një nga agjentët e policisë, duke u prezantuar si djali i Dukës. Agjenti i infiltruar u ka thënë dy autorëve se nuk i ka paratë në kriptovalutë, por do ia sjellë cash. Në momentin që do dorëzoheshin paratë, janë bërë arrestimet.


