Goditje e fortë në territorin rus, 150 dronë dhe shpërthime në portin strategjik

Bota

Goditje e fortë në territorin rus, 150 dronë dhe shpërthime
Një sulm masiv me dronë ukrainas ka goditur rajonin e Leningradit në veriperëndim të Rusisë, duke shkaktuar zjarr në portin strategjik të Ust-Lugës, një prej pikave kryesore të eksportit të energjisë dhe lëndëve të para ruse. 

Sipas raportimeve nga mediat e huaja, sulmi goditi sektorin portual dhe la të plagosur tre punonjës. Guvernatori i rajonit, Alexander Drozdenko, bëri të ditur se gjatë natës janë rrëzuar gjithsej 150 dronë të cilësuar si armiqësorë, ndërsa operacionet për përballimin e situatës vijonin.

Porti i Ust-Lugës, i vendosur në Gjirin e Finlandës, ka rëndësi strategjike për ekonominë ruse, pasi shërben për eksportin e gazit, naftës, plehrave kimike dhe qymyrit. Goditja e kësaj infrastrukture përbën një tjetër episod të sulmeve ukrainase ndaj sektorit energjetik rus.

Pas sulmit janë raportuar gjithashtu dëme në infrastrukturën e rrjetit elektrik në rajonin e Leningradit. Situata ka shkaktuar edhe ndërprerje në transportin ajror. Aeroporti Pulkovo, që i shërben qytetit të Shën Petersburgut, njoftoi se të paktën 18 fluturime janë anuluar ose shtyrë gjatë orëve të para të mëngjesit.

Alarm në vendet baltike dhe Finlandë

Pas zhvillimeve, Lituania, Letonia dhe Estonia kanë paralajmëruar qytetarët për rrezikun e mundshëm nga dronët, ndërsa Finlanda ka vendosur kufizime në trafikun ajror dhe detar gjatë operacionit.

Sulmi ka rritur shqetësimet për përhapjen e pasojave të luftës përtej territorit të Rusisë dhe Ukrainës, veçanërisht në zonën strategjike të Detit Baltik. Goditja ndaj Ust-Lugës vjen në një kohë kur Ukraina ka intensifikuar sulmet me dronë ndaj objekteve të industrisë energjetike ruse gjatë muajve të fundit.

Kievi argumenton se këto operacione synojnë të reduktojnë të ardhurat e Moskës dhe kapacitetet e saj për të financuar luftën. Nga ana tjetër, Ukraina vazhdon të përballet me sulme ruse ndaj infrastrukturës së saj energjetike, duke rritur rrezikun që miliona qytetarë të mbeten pa energji elektrike, ujë dhe ngrohje gjatë dimrit.

Zhvillimet ushtarake ndodhën ndërsa në Abu Dhabi po vijonin bisedimet e ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara mes Rusisë dhe Ukrainës, në përpjekje për të gjetur një rrugë drejt përfundimit të luftës./

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion