Protestat / Ministri Demo: 347 të lënduar, mes tyre 201 policë! 269 të shoqëruar, janë identifikuar ‘maskat’

Aktualitet

Protestat / Ministri Demo: 347 të lënduar, mes tyre 201 policë!

Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, deklaroi se në total 347 persona janë lënduar gjatë protestave, mes tyre punonjës të Policisë së Shtetit, protestues, kalimtarë dhe gazetarë.

Sipas ministrit, 200 prej të lënduarve janë punonjës të Policisë së Shtetit, disa prej të cilëve kanë marrë dëmtime të rënda, ndërsa 107 janë protestues.  Gjatë protestave ka pasur gjithashtu kalimtarë të lënduar, mes tyre edhe gazetarë që janë dëmtuar gjatë raportimit.

“Nuk dua të bëj diferencime. Ky numër tregon se intensiteti i dhunës ka qenë si asnjëherë më parë”, deklaroi Demo.

Ministri i cilësoi këto shifra si një “këmbanë alarmi”, ndërsa theksoi se qëndrimi i Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit është garantimi i së drejtës kushtetuese për të protestuar paqësisht dhe reagimi proporcional në rastet kur konstatohet dhunë.

Demo foli edhe për rastet kur punonjës të policisë dyshohet se kanë tejkaluar masën gjatë protestave. Sipas tij, 7 efektivë janë pezulluar dhe ndodhen nën hetim për veprimet e tyre.

“Edhe në ato raste kur punonjës të Policisë së Shtetit kanë ndërmarrë vendime personale që kanë kaluar masën, Policia e Shtetit ka ndërhyrë menjëherë. Shtatë janë pezulluar dhe janë nën hetim për veprimet që kanë ndërmarrë”, tha Demo.

Ai shtoi se AMP po punon edhe për dhjetëra raste të referuara nga qytetarët dhe po bashkëpunon me Prokurorinë e Tiranës për hetimin e këtyre ngjarjeve. Sipas tij, kjo tregon angazhimin për transparencë dhe marrëdhënien që Policia e Shtetit ka me qytetarët.

Demo foli gjithashtu për presionin ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit në media dhe rrjetet sociale. Ai tha se janë konstatuar kërcënime nga individë të caktuar, të cilët kanë përdorur kanale për identifikimin e punonjësve të policisë, si dhe thirrje për sulme ndaj tyre.

Ministri Ervin Demo ka deklaruar se 269 të mitur janë shoqëruar nga policia gjatë protestës, duke e cilësuar pjesëmarrjen e tyre në tubime të tilla si një fenomen shqetësues që kërkon ndërhyrje për parandalimin e rasteve të ngjashme.

Në deklaratën e tij, Demo tha se të miturit janë vendosur në vijën e parë të dhunës, ndërsa personat që qëndronin pas tyre kanë qëndruar në prapavijë.

“Në total janë 347 të lënduar, e në fillim unë nuk do të doja të bëja diferencim midis punonjësve të Policisë së Shtetit apo protestuesve, apo kalimtarëve, por në vetvete ky numër tregon që intensiteti i dhunës ka qenë si asnjëherë më parë. Fatkeqësisht, ky nivel dhune, i cili nuk është përjetuar më parë në protestat të cilat kanë ndodhur në vendin tonë, në vetvete tregon edhe formën e organizimit kriminal që kjo protestë ka pasur. Gjithsesi, në qoftë se i referohemi shifrave nga 347 të lënduar, 200 prej tyre, rreth 200 prej tyre, janë punonjës të Policisë së Shtetit. Janë punonjës të Policisë së Shtetit, të cilët kanë pësuar dëmtime të ndryshme, disa prej tyre edhe të rënda, por që fatmirësisht sot janë jashtë rrezikut për jetën. Ka 107 protestues të lënduar dhe rreth 39 kalimtarë, të cilët po ashtu janë lënduar gjatë protestave. Këtu përfshihen edhe një numër i konsiderueshëm gazetarësh, të cilët janë dëmtuar gjatë mbulimit të protestës.

Këto shifra janë një këmbanë alarmi për të gjithë ne, për sa i përket nivelit të dhunës, por mbi të gjitha edhe për sa i përket trajtimit proporcional, që Policia e Shtetit ka bërë gjatë menaxhimit të kësaj proteste. Unë, në mënyrë absolute, do të doja të nëvizoja faktin që qëndrimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, por patjetër edhe i strukturave të Policisë së Shtetit, është i qartë – Ne garantojmë të drejtën kushtetuese për të gjithë qytetarët për të protestuar paqësisht. Patjetër, angazhimi jonë është i qartë për sa i përket proporcionalitetit të mënyrës së Policisë së Shtetit, kur konstatohet dhuna.

Edhe në ato raste ku punonjës të Policisë së Shtetit kanë ndërmarrë veprime individuale, të cilat kanë kaluar masën e proporcionalitetit, Policia e Shtetit ka ndërmarrë menjëherë masat e duhura, duke filluar edhe me pezullimet përkatëse. Janë 7 punonjës të Policisë së Shtetit, të cilët janë pezulluar, dhe tashmë janë nën hetim për sa i përket veprimeve të cilat ata kanë ndërmarrë. Por, po ashtu, Agjencia për Mbikëqyrjen Policore është duke punuar në dhjetëra raste, të cilat janë referuar nga qytetarë të ndryshëm për sa i përket veprimeve të Policisë së Shtetit, por edhe rastet ku Agjencia ka ndërmarrë hetim të rasteve specifike, dhe ndërkohë bashkëpunon edhe me prokurorinë e Tiranës, për sa i përket hetimit të këtyre ngjarjeve.

Kjo tregon shumë qartë angazhimin tonë për sa i përket transparencës, por në të njëjtën kohë të një standardi për sa i përket marrëdhënies që në fakt Policia e Shtetit ka me qytetarët. Policia e Shtetit nuk është aty, për t’u përballur dhunshëm me qytetarët. Është aty për të garantuar rendin dhe sigurinë publike. Dhe këtë, ne duhet të jemi të gjithë të qartë, por në të njëjtën kohë duhet të jemi të gjithë mbështetës, për sa i përket rolit të Policisë së Shtetit.

Ne kemi konstatuar gjatë këtyre javëve një dhunë, e cila nuk ka qenë e drejtuar vetëm kundrejt institucioneve shtetërore, por ka qenë kundrejt subjekteve private, kundrejt institucioneve të pavarura, por dhe individëve, kalimtarëve të ndryshëm të cilët kanë qenë në protestë.

Unë jam i bindur që ky standard do të fuqizohet dita ditës dhe ne do të jemi shumë të qartë që roli jonë është për garantimin e sigurisë dhe rendit publik, ruajtjes së proporcionalitetit dhe patjetër, ku ka vend për ndërhyrje, ne do të përdorim të gjithë mekanizmat ligjorë për të garantuar transparencën dhe përgjegjësinë e secilit.

Në të njëjtën kohë, do më duhet të përmend një fakt shqetësues: presionin e ushtruar kundrejt Policisë së Shtetit, jo thjesht në ushtrimin e detyrës si rrjedhojë e dhunës, por mbi të gjitha patjetër dhe sulmeve mediatike, por edhe atyre në rrjetet sociale.

Policia e Shtetit ka referuar raste specifike, përsa i përket kërcënimeve që i janë bërë drejtuesve të caktuar apo punonjësve të caktuar të Policisë së Shtetit nga individë të caktuar, të cilët kanë përdorur kanalet e komunikimit publike për identifikimin e punonjësve të Policisë së Shtetit dhe organizimin dhe bërjen thirrje të sulmeve ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit.

Të miturit janë përdorur nga organizatorë, të cilët i kanë vënë ata në vijën e parë të sulmit, në vijën e parë të dhunës, dhe duke qëndruar vetë pas këtyre të miturve. Shifrat e shoqërimit tregojnë po ashtu qartazi që numri i të miturve që ka marrë pjesë në protestë është shumë shqetësues. Janë 269 të shoqëruar nën moshën 18 vjeç. Kjo tregon më së mirin, sfidën e madhe që ne kemi, ndërinstitucionale, për të adresuar këtë fenomen shqetësues.

E këtu unë flas për sa i përket rolit që do të ketë shkolla, Ministria e Arsimit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Shëndetësisë, për të adresuar një plagë që në fakt është një fenomen, që ne duhet t’i japim përgjigjen e duhur për ta parandaluar në burim. Nuk është zgjidhje, patjetër, veprimet e Policisë së Shtetit për sa i përket ndalimeve që ne bëjmë për të miturit, por sidomos për të miturit ne duhet të gjejmë rrugën e duhur, kanalet e komunikimit të duhura dhe mbështetjen e duhur për familjet dhe për vetë të miturit që ky fenomen të jetë një kujtim i hidhur i këtyre javëve të fundit.

Po ashtu qeveria shqiptare tashmë ka miratuar Aktin Normativ për sa i përket instrumenteve të reja ligjore, që i vihen në dispozicion Policisë së Shtetit për sa i përket menaxhimit të tubimeve të paligjshme apo dhunës së ushtruar në këto tubime. Po e filloj nga të miturit që është një masë në fakt që është ndërmarrë edhe në vendet e Bashkimit Europian duke filluar me Italinë, Francën, ku në fakt përcaktohet që nëse një i mitur merr pjesë në vandalizëm, nëse një i mitur merr pjesë në dhunë, dëmet që shkaktohen si rrjedhojë e këtyre veprimeve, do të mbulohen nga familjet e tyre.

Po ashtu ata të cilët marrin pjesë në protesta të dhunshme do të kenë masa administrative duke filluar nga gjoba dhe elementë të tjerë duke përmendur në veçanti regjistrin kombëtar të individëve të dhunshëm, të cilët kanë marrë pjesë në manifestime në territor. Vetvetiu këto janë akte të rëndësishme dhe ne do të dalim shumë shpejt me informacion të detajuar për secilën prej masave, të cilat tashmë janë në fuqi. Dhe unë jam i bindur që këto do të ndihmojnë punën e Policisë së Shtetit për të pasur edhe një përgjigje proporcionale për sa u përket individëve, të cilët marrin pjesë në protesta të dhunshme”, tha ai.

 

 

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion