“Zyrtarët publikë i bënë presion drejtësisë”, KE publikon raportin për gjyqësorin në Shqipëri: Korrupsioni mbetet shqetësim

Politikë

“Zyrtarët publikë i bënë presion

Pavarësisht se e konsideron gjyqësorin të qëndrueshëm pas Reformës në Drejtësi, raporti vjetor i Komisionit Europian që vlerëson gjendjen e shtetit të së drejtës në Shqipëri thotë se kanë vazhduar përpjekjet për ndikim të padrejtë në institucionet e drejtësisë.

Mes tyre përmenden edhe sulmet personale ndaj magjistratëve, përfshirë edhe Strukturën e Posaçme.

Në këtë pikë, në raport përmendet se tetë magjistratë, mes tyre dy gjyqtarë dhe gjashtë prokurorë, janë vendosur nën mbrojtje, ndër ta edhe prokurorë të SPAK dhe ish-kreu i KLP-së.

Në raport përmendet më tej se: “Përpjekjet nga zyrtarët publikë ose politikanët, përfshirë nivelet më të larta, për të ushtruar publikisht ndikim të padrejtë në institucionet e drejtësisë dhe sulmet personale ndaj magjistratëve në të gjitha nivelet vazhduan gjatë gjithë periudhës së raportimit.

Pezullimi i një zyrtari të nivelit të lartë nga detyra, i urdhëruar nga Gjykata e SPAK-ut, në përputhje me dispozitat aktuale të Kodit të Procedurës Penale, si dhe kërkesa e SPAK-ut drejtuar Parlamentit për të hequr imunitetin parlamentar të zyrtarit të lartpërmendur, shkaktuan reagime të konsiderueshme negative nga degët ekzekutive dhe legjislative, duke përfshirë sulme të drejtpërdrejta kundër SPAK-ut dhe institucioneve gjyqësore. Institucionet qeverisëse të gjyqësorit lëshuan deklarata publike, duke denoncuar presionin politik”.

Raporti gjen mangësi në aksesin në drejtësi, përfshirë ndihmën ligjore, infrastrukturën dhe sigurinë e gjykatave.

E ndërsa korniza institucionale për parandalimin e korrupsionit është përmirësuar, koordinimi me zbatimin e ligjit mbetet i dobët.

“Rreziqet e korrupsionit vazhdojnë të jenë të përhapura në Policinë e Shtetit, prokurimin publik dhe në sektorët me risk të lartë, për të cilët Shqipëria aktualisht po zbaton vlerësimet e riskut”, thuhet më tej.

Duke iu referuar procesit të vettingut, raporti përmend se gjatë këtij procesi u shkarkuan 456 gjyqtarë e prokurorë dhe u konfirmuan 348 prej tyre, ose 43 për qind e rasteve të kontrolluara./tch

 

ME TE LEXUARAT