Dhjetë bashkitë që mund të shkrihen nga Harta e re Territoriale

Harta territoriale e Shqipërisë pritet të pësojë ndryshime të reja, ku synimi është që në zgjedhjet vendore të vitit 2027 vendi të mos ketë më shumë se 50 bashki.
Nisma po shtyhet përpara nga Partia Socialiste, e cila synon të finalizojë reformën edhe pa konsensus me opozitën, nëse nuk arrihet një marrëveshje politike.
Analiza e ekspertëve të angazhuar nga mazhoranca identifikon 14 bashki që konsiderohen më të ekspozuara për bashkim, bazuar në tregues ekonomikë, financiarë, funksionalë dhe demografikë.
Ndryshimet pritet të prekin kryesisht qarqet e Gjirokastrës, Beratit, Elbasanit, Shkodrës dhe Fierit, ndërsa në diskutim mbetet edhe Tirana.
Raporti parashikon trajtim të veçantë për tre bashki me status minoritar. Edhe pse këto njësi kanë tregues të dobët, ekspertët argumentojnë se ato nuk duhet të preken për shkak të rëndësisë historike, kulturore, identitetit të pakicave kombëtare dhe kërkesave të paraqitura gjatë dëgjesave publike.
Dokumenti evidenton gjithashtu se jo çdo problem zgjidhet përmes ndryshimit të kufijve administrativë.
Si shembuj përmenden Tropoja, Fushë-Arrëzi dhe Himara, ku sfidat lidhen më shumë me distancat gjeografike dhe aksesin ndaj shërbimeve sesa me organizimin territorial. Mazhoranca i ka lënë afat opozitës deri më 23 korrik për t’u bërë pjesë e procesit.
Nëse kjo nuk ndodh, socialistët synojnë ta çojnë për miratim reformën në fillim të tetorit, duke siguruar shumicën e nevojshme prej 84 votash në Kuvend.
"Bashkia e Prrenjasit është një mundësi që të bashkohet me Librazhdin. Është një nga opsionet që po analizojmë. Ka edhe treguesin e distancës që është pjesë e diskutimeve. Kjo është një nga rastet tipike që i kemi të dyja dilemat", ka thene deputeti i PS, Arbian Mazniku.
"Tirana ka 25% të popullsisë së Shqipërisë dhe mbi 50% të xhiros që krijohet nga ekonomia shqiptare. Nuk është harta problemi i Tiranës. Tirana ka nevojë ose për një ligj të posaçëm për mënyrën sesi funksionon, ose për një kapitull të posaçëm në ligjin për pushtetin vendor", deklaroi Mazniku.


