Nuk paraqiteshin në punë, Ministria e Kosovës shkarkon 20 zyrtarët serbë

Ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka njoftuar se është marrë vendim për shkëputjen e kontratave të punës për 20 zyrtarë të MMPH-së nga komuniteti serb, të njohur edhe si pjesë e ish-“Mbrojtjes Civile”.
Sipas Pacollit, vendimi është marrë për shkak të mungesës së vazhdueshme të tyre në vendin e punës dhe në përputhje me rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit.
“Shkëputja e kontratave vjen si pasojë e mungesës së vazhdueshme të tyre në vendin e punës, si dhe në përputhje me rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit”, ka shkruar ajo.
Pacolli ka thënë se nga evidencat zyrtare ka rezultuar se këta zyrtarë, të punësuar që nga 5 janari 2016 në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nuk i kanë përmbushur detyrimet që rrjedhin nga marrëdhënia e punës.
“Përfshirë mungesën e vazhdueshme në vendin e punës dhe mosrespektimin e detyrave të punës”, ka deklaruar ajo.
Ministrja në detyrë ka paralajmëruar zbatim të njëjtë të ligjit për të gjithë të punësuarit në administratën publike.
“Do të vendosim ligjshmëri të plotë dhe standarde të njëjta për secilin në administratën publike. Askush nuk mund të mbajë statusin e të punësuarit pa përmbushur detyrimet që i takojnë”, ka shkruar Pacolli.
“Do të jemi të pakompromis në zbatimin e ligjit, pa dallim përkatësie apo pozite, sepse shërbimi publik duhet t’u shërbejë qytetarëve me përgjegjësi dhe respektim të plotë të detyrës zyrtare”, ka shtuar ajo.


