"Ulsi Manja të japë dorëheqjen", Shabani: Pranoi se deputeti Agron Shehaj bën evazion dhe nuk e arreston

Kreu i Nismës Thurje, Endri Shabani kërkon dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja. Ai u referohet deklaratave publike të ministrit në foltoren e Kuvendit këtë të enjte dhe thekson se në çdo çast ministri duhet të lërë postin.
"E para se ka përgatitur një amnisti për 100 zyrtarë të korruptuar që ishin dënuar nga SPAK. E dyta se ka gënjyer publikisht nga foltorja e Parlamentit duke premtuar se asnjë i dënuar nga SPAK nuk do përfitonte nga amnistia", shkruan Endri Shabani.
Kreu i Nismës Thurje shkon rendit dhe dy fakte nga përballja e Manjës me deputetin Agron Shehaj, të cilin ministri e quajti "evazorin më të madh në Shqipëri" dhe i premtoi se shteti shqiptar do merret seriozisht me të.
"E treta se ka kërcënuar nga salla e parlamentit një deputet, duke përdorur një gjuhë kriminale. E katërta se pranoi që është në dijeni se një biznesmen po bën evazion fiskal, dhe me këto para financon portale anti shqiptare, por nuk paska marrë masa për zbatimin e ligjit", vijon ai.
"Dhe këto janë arsye vetëm nga veprimtaria e tij këtë javë. Nuk po shkoj ma nalt se kaq…", ironizon Endri Shabani, ndaj thekson se "Në çdo rast Ulsi Manja duhet të japë dorëheqjen!"


