Tronditi Patrën me armë zjarri në prill të 2026, vihet në pranga 32-vjeçari shqiptar në Greqi

Policia greke ka arrestuar një 32-vjeçar shqiptar, i cili kërkohej për një tentativë vrasjeje të ndodhur në prill të vitit 2026 në zonën e Sulit, në Patra, ku një 22-vjeçar mbeti i plagosur me armë zjarri.
Arrestimi u krye në orët e para të mëngjesit të së martës, më 28 korrik, gjatë një operacioni të koordinuar nga Drejtoria për Luftën kundër Krimit të Organizuar, njësitë speciale EKAM, Sektori për Luftën kundër Zhvatjes dhe grupet operacionale të Policisë greke.
Sipas autoriteteve, ndaj 32-vjeçarit ishte lëshuar urdhër arresti për veprat penale të tentativës së vrasjes dhe shkeljes së legjislacionit për armët. Policia bëri të ditur gjithashtu se ai ka qenë i njohur më parë për autoritetet për përfshirje në vepra të ngjashme dhe të tjera penale.
Ngjarja e përgjakshme ndodhi në orët e para të 7 prillit 2026.
Sipas hetimeve, dy të rinj kishin shkuar me motoçikletë në një vend të caktuar në zonën e Sulit për t’u takuar me një grup personash, me qëllim zgjidhjen e disa mosmarrëveshjeve personale që kishin lindur më herët gjatë asaj nate në një lokal në Patra.
Takimi përfundoi në një sulm me armë zjarri. Sipas dëshmive të viktimave, në vendngjarje ndodheshin rreth dhjetë persona dhe, pas një debati verbal, dy prej tyre hapën zjarr ndaj dy të rinjve. Si pasojë, 22-vjeçari u plagos në këmbë dhe u dërgua fillimisht në Spitalin e Patrës, ndërsa më pas u transportua me autoambulancë në një spital tjetër. Sipas mjekëve, gjendja e tij shëndetësore nuk paraqiti rrezik për jetën.


