“The Albanian Files”, arkitekti i huaj i “kërkoj” të bëhej mbret, Rama u përgjigjet akuzave

Kryeministri Edi Rama e nisi podcastin e tij “Flasim” duke mbajtur në dorë librin “The Albanian Files” dhe duke iu përgjigjur të gjitha akuzave.
“Është një ndër botimet më të rëndësishme të viteve të fundit, në dritën e skenës së arkitekturës dhe zhvillimit urban, në Europë dhe në botë. Është një botim i ri i kohëve të fundit dhe ka brenda punët, projektet, idetë, shënimet e 60 arkitektëve dhe studiove me një reputacion të padiskutueshëm ndërkombëtar, të cilat i lidh sëbashku në faqet e librit, Shqipëria!”, tha kreu i qeverisë, duke hedhur poshtë aludimet që kanë qarkulluar së fundmi për këtë libër.
“Buron nga fryma e bulevardit, ku protesta e filluar për natyrën, ka krijuar shumë degë të tjera dhe një nga degët, është ajo inkuizicionale, e cila përndjek, në thonjëza sigurisht, me fjalë, me shpifje një nga grupet më të rëndësishme që i janë qasur Shqipërisë në këto 30 vite, por edhe historisë së Shqipërisë. Njerëz që e kanë bërë emrin e tyre dhe që janë mbledhur në Shqipëri, siç u mblodhën në New York, në vitet ‘30. Nuk është libri im, unë aty kam dhënë një kontribut thjesht me një tekst parathënës, si kryeministër i Shqipërisë”, tha Rama.
Sipas tij, turma është kapur me një tekst autoironik të një arkitekti.
“Është kthyer kokë poshtë! Tregon që në fakt, libri është tërësisht i lirë dhe i pakontrolluar. Të gjithë autorët kanë pasur pavarësi të plotë në materialet e tyre”, theksoi ai.


