Refuzoi votimin e komisioneve parlamentare, Erion Braçe: Janë klienteliste dhe të personalizuara

Politikë

Refuzoi votimin e komisioneve parlamentare, Erion Braçe: Janë

Deputeti i PS-së, Erion Braçe nuk votoi për 11 komisionet e reja parlamentare gjatë seancës së të martës në Kuvend. Ai argumentoi dy arsye kryesore për refuzimin e tij.

Së pari, Braçe u shpreh se nuk ishte dakord me mungesën e ngritjes së komisionit për çështjet e dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja, që ishte pjesë e strategjisë së miratuar nga legjislatura e kaluar. Ai theksoi se ky komision ishte parashikuar qartë në dokument, por tani ishte lënë jashtë listës së komisioneve të reja, pavarësisht rëndësisë së çështjes për sigurinë dhe integritetin e vendit.

Së dyti, Braçe kritikoi përzgjedhjen e komisioneve, të cilat sipas tij ishin të personalizuara dhe klienteliste, duke theksuar se nuk kishte kërkuar asnjë pozicion personal brenda tyre.

“Lidhet me atë punë që u bë në vitin e fundit të legjislaturës së shkuar këtu në Kuvend për çështjet e dezinformimit, keqinformimit, ndërhyrjeve të huaja keqdashëse në shoqëri dhe në ekonomi.

Kjo këtu është strategjia, dokumenti më i mirë që Kuvendi mund të ketë miratuar gjatë legjislaturës së shkuar. Një strategji e hartuar jo vetëm me ekspertë vendas, por edhe me asistencën e plotë të Komisionit Europian, të Bashkimit Europian, të OSBE edhe të shumë faktorëve të tjerë të rëndësishëm që e kanë prioritet çështjet e dezinformimit, keqinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja keqdashëse.

Për një periudhë kohe e kishim dhe ne, u mor me vrull të madh, u thirra unë, duhet ta bësh ti këtë gjë se ti di ta bësh. Pastaj as ndihmoi kush, as foli kush, as e lexoi kush dhe as e vlerësoi kush punën që u bë dhe dokumentin që u miratua.

Por në udhërrëfyesin që shoqëron dokumentin, thuhet qartë dhe është votuar në Kuvend që do të ketë një komision parlamentar pikërisht për këtë çështje. Tani që gjithë puna e bërë, dokumenti po vlejnë si shembull edhe për vende rreth e qark nesh, tani zhduket propozimi, zhduket komisioni”, tha ai.

Arsyeja e dytë, për deputetin Braçe, lidhet me komisionet e reja, për të cilat thotë se nuk është dakord dhe duken të jenë klienteliste. “Arsyeja e dytë, patjetër që isha kundër asaj liste komisionesh që m’u duk thuajse e personalizuar dhe klienteliste në kushtet kur parimisht një komision i vlerësuar si i domosdoshëm zhduket nga ajo listë. Unë nuk kisha absolutisht asnjë pretendim personal.

Nuk i kërkova kujt, për më tepër atij që vendos për të tilla gjëra që të isha unë kryetari i këtij komisioni apo i ndonjë komisioni tjetër. Unë mendoj që çështja e dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja keqdashëse në shoqëri, ekonomi e zgjedhje, është një çështje që nuk ka ndryshuar.

Kjo ishte arsyeja”, pohoi deputeti. Komisionet e reja u miratuan në Kuvend me 79 vota pro, prej të cilave 7 do të drejtohen nga mazhoranca dhe 4 nga opozita.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion