Komiteti i Helsinkit: Të hetohet çdo pretendim për dhunë

Komiteti Shqiptar i Helsinkit e konsideron si jo proporcionale sjelljen e Policisë së Shtetit ndaj protestuesve, të cilët u mblodhën të enjten para Parlamentit.
Në një reagim për mediat, theksohet se sjellja e efektivëve ndryshoi sapo nisën të dalin automjetet nga Kuvendi dhe aktet e dhunës nga disa individë nuk duhet t’u atribuohen të gjithë protestuesve.
Sipas Komitetit Shqiptar të Helsinkit, edhe gazi lotsjellës ishte jo proporcional dhe nuk duhet të përdorej si reagim ndëshkues.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit i bën thirrje Prokurorisë dhe AMP-së që të hetojnë çdo pretendim për dhunë ndaj protestuesve, ndërsa Policisë i kërkon që në protestat e ardhshme përdorimi i forcës të paraprihet nga komunikimi dhe paralajmërimi i qartë.
Një thirrje ka edhe për organizatorët dhe pjesëmarrësit në protesta, të cilët duhet të distancohen nga çdo akt dhune dhe të kontribuojnë në tubime paqësore.


