Nisma për shkarkimin e Metës, deputetja socialiste: U bë pengesë, për një muaj e mbyllin

Politikë

Nisma për shkarkimin e Metës, deputetja socialiste: U bë

Në limite të afateve, socialistët do të ngrenë nesër një komision hetimor për shkarkimin e presidentit. Në komisionin e Ligjeve dështoi sot një seancë dëgjimore me Ilir Metën.

Kreu i shtetit e kërkoi mbledhjen për të hënën, por mazhoranca e mbylli sot procedurën pasi nëse kalon data 8 maj, komisioni hetimor nuk lejohet më të ngrihet sipas ligjit. Presidenti e cilësoi një lojë afatesh, por anëtarja e komisionit të ligjeve, deputetja socialiste Klotilda Bushka e ftuar në Radarin Informativ në ABC u shpreh se janë respektuar të gjitha afatet.

“Procedura përfshinë katër faza, e para kërkesa që paraqitet me jo më pak se ¼ e deputetëve paraqet kërkesën, më pas shqyrtohet paraprakisht te Komisioni i Ligjeve, ku i vlerëson dhe nëse mendon se janë plotësuar kriteret, vendos ti propozojë Kuvendit ngritjen e Komisionit për të bërë analizën dhe shkeljet që pretendohen. Kjo seancë do të jetë nesër.

U miratua raporti i komisionit, që u konsiderua e bazuar kërkesa dhe do i kërkojë Kuvendit të ngrihet komisioni. Nesër futet në fazën e dytë” tha ajo.

Por a ishte e mjaftueshme koha që i lanë Presidentit për të thënë fjalën e tij? Socialistja në Komisionin e ligjeve mendon se po. “Koha e mjaftueshme vendoset nga Komisioni i Ligjeve, që e gjykon cila është koha e arsyeshme.

Në kërkesën e deputetëve flitet për një nevojë emergjence për të kthyer institucionin e presidentit në shina. Për të gjitha argumentet që kanë listuar 49 deputetët që kanë bërë kërkesën është shumë e rëndësishme që kjo gjë kaq serioze të sqarohet. Të drejtat dhe detyrat e se cilës palë do të zbatohen dhe respektohen”.

 
Por a do i jepet koha e mjaftueshme presidentit në komisionin hetimor? “Së pari të drejtat janë respektuar deri në këtë fazë që jemi, pastaj është e drejta e personit që të ndjekë një thirrje të kuvendit apo jo.

Kjo ishte një shqyrtim paraprak nëse ishim përpara një kërkesë që e përligj vijimin e procedurës dhe është zbatuar pikë për pikë. Në fazën e hetimit është detyrë e komisionit që ta thërrasë presidentin të japë shpjegimet e veta. Në komisionin hetimor ka një plan hetimi, nuk zgjat për 1, 2, apo 3 ditë por merr javë, dhe është mundësia e palëve të njoftojnë presidentin, të njoftohet dhe është e drejtë e tij të shprehet” tha deputetja.

Klotilda Bushka kishte një përgjigje edhe për ata që ngrenë pyetjen se përse komisioni po ngrihet me kaq urgjencë. “Ne në rastin konkret për të qenë korret me ligjin dhe kërkesën e 49 kolegëve që kërkojnë një shqyrtim të menjëhershëm, nuk ka të bëjë me urgjencën procedurale por rëndësinë që ka kauza, pasi është një cështje që nuk ka shqetësuar vetëm 49 deputetët, por edhe opinionin publik”.

Këtu Bushka përfshiu edhe përplasjen e kreut të shtetit me Yuri Kim. “Reagimet e ambasadës amerikane dhe jo vetëm, cështja është e rëndësishme, ka nevojë të trajtohet dhe hetohet”.

Klotilda Bushka u shpreh se kësaj cështjeje do i shkohet deri në fund dhe se beson që komisioni brenda një muaji do të dalë me raport për Kuvendin. “Ky komision është i tillë që nuk mendoj se kërkon një kohë më të madhe se një muaj. Do të jetë një komision serioz që do ta çojë punën deri në fund jo si disa komisione të tjera” tha ajo.

“Kthimi i një sërë ligjesh janë vonuar në kohë prej veprimeve të presidentit, ne si shumicë kemi ecur përpara me punën tonë, por jemi penguar në kohë. Nuk kemi ne armik presidentin. PS e ka respektuar dhe është treguar shumë e përmbajtur për hir të stabilitetit të vendit. Por nuk është më pengesë për ne, ne jemi të konfirmuar me 74 mandate. Por ne nuk do të donim jo më presidentin po asnjë punonjës të thjeshtë që pengonte dhe nuk ushtronte detyrat e veta sipas ligjit” tha përfundoi deputetja socialiste. Fjalën e fundit për fatin e Presidentit e ka Gjykata Kushtetuese.

ME TE LEXUARAT