Rama mbërrin në vilën qeveritare në Pogradec, shoqërohet nga deputeti Ulsi Manja

Kryeministri Edi Rama ka nisur një prej takimeve të rëndësishme të sezonit politik të Partisë Socialiste, me drejtuesit politikë të qarqeve dhe kryetarët socialistë të komisioneve parlamentare në Pogradec.
Rama mbërriti në vilën qeveritare në orët e paradites, ndërsa pak më vonë aty u shfaq edhe drejtuesi politik i Dibrës, Ulsi Manja. Dy zyrtarët qëndruan për pak minuta dhe më pas u larguan drejt qendrës së Pogradecit.
Takimi pritet të mbledhë 12 drejtuesit politikë të qarqeve, së bashku me kryetarët socialistë të komisioneve parlamentare.
Në fokus të diskutimeve do të jenë dy dokumente të dorëzuara në fund të korrikut te grupi parlamentar socialist, “Besa” dhe “Prania e Besës”. Rama pritet të kërkojë reflektime dhe propozime mbi këto dokumente, me synim hartimin e një dokumenti përfundimtar, ndërsa pjesë e diskutimeve pritet të jenë edhe përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit 2027.
Në mbrëmje, drejtuesit politikë, kryetarët e komisioneve parlamentare dhe ministrat pritet të zhvillojnë një darkë së bashku, përpara një tjetër dite të rëndësishme politike.
Të hënën, në kuadër të mbledhjes informale të qeverisë, e njohur si “retreat”, ministrat do të raportojnë mbi ecurinë e dikastereve të tyre gjatë periudhës janar-gusht 2026.
Ndryshe nga mbledhjet e mëparshme të këtij formati, këtë herë nuk pritet të marrin pjesë zëvendësministrat. Në takim do të jenë ministrat dhe drejtuesit e agjencive në varësi të tyre.
Përveç performancës së dikastereve, ministrat do të raportojnë edhe për aktivitetin mediatik dhe prezencën e tyre në rrjetet sociale.
Sprinti politik i socialistëve pritet të vijojë edhe në shtator. Sipas burimeve pranë Partisë Socialiste, në javën e parë të shtatorit mund të mblidhet Asambleja Kombëtare e PS-së.
Mbledhjet e Asamblesë në të kaluarën janë përdorur nga Rama edhe për të bërë ndryshime në kabinetin qeveritar, ndaj takimet e ditëve të ardhshme pritet të shërbejnë edhe si një moment vlerësimi për performancën e qeverisë.


