Meta përballet me akuzat në SPAK, avokati: Nuk ka prova për korrupsion, do të shkojmë në gjykim normal

Avokati i ish-presidentit Ilir Meta, Kujtim Cakrani, ka dalë pas komunikimit të aktakuzës nga Prokuroria e Posaçme kundër klientit të tij në lidhje me çështjet CEZ-DIA dhe lobimin e ish-LSI-së. Sipas tij, nuk ka asnjë element të ri në aktakuzë dhe prokuroria nuk ka identifikuar ende se kush ka kryer pagesat për lobimin në emër të LSI-së.
Cakrani tha se shqetësimi kryesor i mbrojtjes mbetet mungesa e provave konkrete që lidhin Metën me akuzat për korrupsion apo pastrim parash. Ai theksoi se dosja e hetimit është përmbledhur në vetëm 30 faqe, ndërsa mbrojtja disponon mbi 116 fashikuj me rreth 60 mijë faqe dokumente që provojnë se Meta nuk ka pasuri të paligjshme apo gjurmë korrupsioni.
Pjesa më e madhe e verifikimeve është bërë në banka dhe institucione financiare të vendeve të Bashkimit Evropian, me rezultate që sipas avokatit janë të pastra. “Meta ka zero korrupsion dhe zero pasuri të vendosur nga korrupsioni,” tha Cakrani.
Ai konfirmoi se çështja do të ndiqet në gjykatë në mënyrë të rregullt, duke shtuar se i gjithë procesi është i ngarkuar politikisht, por se mbrojtja do të ndjekë rrugën ligjore pa devijime.


