Bardhi: “Vëzhguesit në Fier kanë votuar në emër të qytetarëve, zgjedhjet ishin një farsë elektorale”

Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka hedhur akuza të forta ndaj procesit zgjedhor të 11 majit, duke publikuar një video nga një qendër votimi në Fier, ku – sipas tij – vëzhgues të Partisë Socialiste shkelin fshehtësinë e votës duke votuar në emër të qytetarëve.
Ngjarja pretendohet të ketë ndodhur në QV nr. 3153/1 në Njësinë Administrative Dërmenas, Bashkia Fier. Bardhi e konsideron këtë si provë të asaj që e quan “farsë elektorale”, ku procesi ka qenë i kontrolluar nga patronazhistët dhe jo një ushtrim i lirë i vullnetit qytetar.
“Shkelja e fshehtësisë së votimit është krim dhe dënohet me burg,” tha ai, duke iu referuar nenit 327 të Kodit Penal. Sipas tij, vetëm në katër orë filmime rezulton se shumica e votave janë hedhur nga persona të tretë, ndërsa më pas kamerat janë fikur qëllimisht nga përfaqësues të PS për të fshehur veprimet e mëtejshme.
Bardhi akuzon zëvendëskryeministren Belinda Balluku për “garanci politike ndaj shkelësve”, duke thënë se Task Forca për zgjedhjet ishte thjesht një fasadë.
Ai e përmbylli reagimin me thirrjen për hetim penal ndaj autorëve dhe përgjegjësve politikë të këtij manipulimi, që sipas tij minon themelet e demokracisë.


