Këta janë deputetët e “opozitës së re” që zhgënjyen në zgjedhje. Disa nuk morën as votat e familjarëve

Politikë

Këta janë deputetët e “opozitës së re”

Nard Ndoka, deputet prej disa legjislaturash dhe i njohur më shumë për batutat dhe gafat e tij, nuk do të jetë më në Kuvendin e Shqipërisë.

Zgjedhjet në Shkodër ku ai ishte renditur i 8-ti në listë bën që të mbetet përfundimisht jashtë Parlamentit. Demokratët kanë marrë 5 mandate atje.

Ndoka ka siguruar vetëm 228 vota preferenciale, çka do të thotë se mundësitë e tij janë praktikisht zero për të hyrë në Kuvend edhe nëse ndonjë nga kandidatët e tjerë në listën fituese japin dorëheqjen apo largohen për arsye të tjera.

Para tij renditen ish-deputeti Bardh Spahia, i cili ka marrë plot 7219 preferenciale si dhe Lodovik Hasani, i cili ka siguruar 3810 vota preferenciale.

Në Parlamentin e Shqipërisë nuk do të jetë më as deputeti i cili hyri aksidentalisht në Parlament pas djegies së mandateve të opozitës, Kujtim Gjuzi. I renditur i pari në Durrës në koalicion me disa parti të vogla, Gjuzi ka marrë vetëm 3 vota preferenciale. Koalicioni në tërësi ka marrë vetëm 88 vota atje.

Ndryshe nga Durrësi, në Tiranë ky koalicion ka marrë pak më shumë vota (419 të tilla). Në listën e kryeqytetit ishte vendosur dy deputetët gjithashtu qesharakë për fjalimet e tyre, Kostaq Papa, i cili mbahet mend për batutat për femrat në Parlamentin e Shqipërisë si dhe Selami Jenishehri, i cili binte në sy më shumë për lyerjet e shpeshta të flokëve. I thyer në moshë, ai shpesh nuk e dinte se çfarë ndodhte në Parlamentin e Shqipërisë.

Megjithëse përfaqëson partinë e pensionistëve, ku në vendin tonë janë rreth 600 mijë të tillë, Jenishehri ka siguruar vetëm 11 vota, kundrejt 10 votave që ka fituar i pari në listë, Kostaq Papa.

Jashtë Parlamentit kanë mbetur edhe emra të tjerë të të ashtuquajturës opozita e re në Parlament.

Dy prej tyre, Halit Valteri dhe Ylli Shehu i kanë dhënë fund ëndrrës për të qenë të zgjedhur në atë që quhet tempulli i një demokracie. Pasi kaluan njëri nga Partia Demokratike dhe tjetri nga LSI, ata u renditën përkatësisht i 35-ti dhe i 24-ti në Listën e Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës. Valteri ka siguruar 2183 vota, ndërsa Ylli Shehu 1815 vota, shumë larg mundësisë për të sfiduar kandidatët e tjerë në listën fituesve.

Në Qarkun e Fierit, jashtë Parlamentit mbeti edhe Robert Bitri, i cili mori mandatin nga LSI. Ai ka siguruar 1195 vota preferenciale.

Edhe Myslim Murrizi, një deputetët e opozitës së re, i cili nuk pranoi të digjte mandatin si kolegët e tij të Partisë Demokratike ka dështuar në qarkun e vet në Fier. Ai ka siguruar vetëm 556, ndërsa partia e krijuar rishtas prej tij, Partia Lëvizja Demokratike Shqiptare, mori vetëm 1354 vota.

Ata miratuan ndryshimet kushtetuese të vitit të shkuar që i hapën rrugë ndryshimit të sistemit zgjedhor. Kuvendi miratoi në muajin gusht me 106 vota pro ndryshimet kushtetuese për hapjen e listave me të paktën dy të tretat, ndalimin e koalicioneve, pragun kombëtar, dhe ndryshimin e zonave zgjedhore.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion