Heqja e ligjit të luftës me Greqinë, Kuvendi miraton me 96 vota pro deklaratën e propozuar nga PDIU

Politikë

Heqja e ligjit të luftës me Greqinë, Kuvendi miraton me 96 vota

Kuvendi i Shqiperise, miratoi me 96 vota ne Kuvend, projekt deklaraten e propozuar nga PDIU për heqjen e ligjit të luftës me Greqinë.

Projekt deklarata nuk mori asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.

Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi gjatë prezantimit në Kuvend të projekt deklaratës për heqjen e ligjit të luftës me Greqinë, e cilësoi si minat e fshehura që mund të shpërthejnë në çdo çast.

Deklaratat

"Që në krye të herës kjo deklaratë vlerëson marrëdhëniet me Greqinë si edhe vullnetin për ti thelluar ato. Të dy vendet tona janë anëtare të ANTO-s dhe bashkëpunojnë pa rezerva. Kemi mbajtur shënim edhe konsideruar përpjekjet e përbashkëta të dy vendeve e për paqen, sigurinë dhe të drejtat e njeriut në OSBE dhe këshillin e europës. Mes Greqisë dhe Shqipërisë është nënshkruar edhe traktati i miqësisë, bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë.

Ndryshe nga fryma e traktatit dhe vullneti politik i dyanshëm, ligji i luftës mbettë ende në fuqi dhe vijon të prodhojë disa nga efekte negative që lindin kur shtet janë në gjendje lufte. E dimë të tërë që më 28 tetor 1940 Greqia shpalli ligjin e luftës, pak më vonë kemi dekretin e përcaktimit si shtet armik.

Shtetet e përcaktuara si armike janë Italia bashkë me tokat perandorake dhe klonitë e saj, duke përfshirë dhe Shqipërinë. Shqipëria s’ka qenë shtet sovran që sulmonte fqinjin e si pasojë Greqia ta shpallte shtet armik. Greqia ishte e pushtuar pas sovranitet e në fakt në akte të tjera këtë gjë e ka pranuar edhe Greqia vetë. Por dispozitat e këtyre ligjeve vihen në zbatim për shtete e mësipërme. Por çka ndodhur ndërkohë. Ndërsa me Italinë çështja u zgjidh në vitin 1947 me traktatin e paqes, për heqjen e ligjin te luftës dhe sekuestron e fatit juridik të pronave të sekuestruara", u shpreh Idrizi. 

Deklarata rritje të përpjekjeve mes dy qeverive për ta hequr ligjin e luftës, që sipas Shpëtim Idrizit është një fyerje për dinjitetin, integritetin dhe sovranitetin tonë kombëtar.

"Ajo që ka mbetur pezull është vetëm pjesa e Shqipërisë, pjesa tjetër është hequr.  Ligji në fjalë është absurd përsa thash më sipër. Greqia e mban me ligj luftën, gjendje lufte dhe sekuestro për pronat dhe nga ana tjetër kemi traktat miqësie. Me 20 tetor të vitit 2020 dendias gjatë vizitës në Tiranë deklaron, sa i përket ligjit të luftës kjo është një anakronizëm, jam i sigurt që do ta zgjidhim. Sekuestro mbi pronat e shqiptarëve është në fuqi. Jemi të vonuar, pas 84 vitesh. Absurdi është se lufta vazhdoi vetëm për dy javë në territorin grek pastaj u futëm në territorin shqiptar, dhe vazhdon prej 83 vitesh, 11 muajsh dhe 2 javësh. Është një fyerje për dinjitetin, integritetin dhe sovranitetin tonë kombëtar. I takon këtij Kuvendi që të tregojë se Shqipëria është një vend paqedashës dhe i pavarur. Kemi autoritetin për të ngritur këtë çështje në nivelin më të lartë institucional dhe ndërkombëtar. Kërkon zyrtarisht heqjen e ligjit të luftës dhe pasojat juridike pronësore. Ngjan me ato minat e fshehura, të ndryshkura të luftës së dytë botërore që nga pakujdesia mund të shpërthejnë në çdo rast, duhet çaktivizuar ky ligj siç çaktivizojmë minat e luftës së dytë botërore", tha Idrizi. 
Askush më shumë se sa parlamenti nuk ka legjitimitetin për ta ngritur këtë çështje tha kryetarja e grupit parlamentar “Demokraci dhe Integrim” Mesila Doda.

“Askush më shumë se deputetët nuk mund të kenë legjitimitet për zgjidhjen e një dialogun politik”, tha Doda. 
Edhe kreu i Grupit Parlamentar Socialist Bledi Çuçi tha se ligji i luftës nuk përfaqëson raportet që ka sot Shqipëria dhe Greqia, që megjithë uljet dhe ngritjet kanë për detyrë të tregojnë shembullin e fqinjësisë së mirë.

“Për realitetin e ri ku janë dy vendet, nuk na duhet të presim edhe 84 vite të tjera për të korrigjuar këtë budallallëk historik. Besoj se Shqipëria dhe Greqia mund të jenë shembull i shkëlqyer se si fqinjësia e mirë prodhon paqe, sigurie, mirëqenie. Kjo iniciativë mbetet një përpjekje domethënëse krejt e përligjur”, vijoi Çuçi. 
Opozita dha votën pro dhe shprehu mbështetje për këtë deklaratë, por mes tyre kishte edhe skeptikë, se asgjë nuk do të ndryshojë.

“Është në dorën e Greqisë , e heq Greqia”, tha Ferdinand Xhaferri. 

“Këtë ligj e ka fshirë koha do ishte budallallik nga ana e greqisë ta mbajnë. 20 vjet më parë e kemi bërë këtë deklaratë politike, 4-5 vetë kemi votuar në mos gabofsha, të tjetër as nuk u paraqitën në seancë shefat e mëdhenj", u shpreh Dashamir Shehi. 
Mes tyre, pati edhe nga ata që kërkuan zgjidhje për çështjet e tjera si ajo e detit, apo sheshimi i tensioneve për shkak të bashkisë së Himarës.

"A i rri ende Qeveria jonë Gjyqit të Hagës apo ka ndryshuar opinion ? Ku jemi me çështjen e njohur si çështja e detit ? Ne me Greqinë duam dialog për çdo gjë e gjithçka, zgjidhje totale të problemeve, një traktat të ri miqësie pa ligjin e luftës në sfond. Dhe në planin dypalësh me Greqinë menjëherë pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike në vitin 1971 e deri në ditët e sotme, marrëdhëniet me Greqinë kanë rënë në nivelin më të ulët falë politikës diletante të Edi Ramës.

Në Himarë nuk kemi një problem etnik, por një problem demokracie, nuk kemi një problem me Micotaqis por me një Qeveri shqiptare, e cila tjetërson vullnetin politik dhe u ka vënë syrin pronave strategjike. Kemi një problem standartesh për të cilat duhet të shqetësohemi të gjithë, që vota e himariotëve të mos merret peng nga pushteti", tha Gjekmarkaj. 
Greqia e deklaroi Shqipërinë, përkrah Italisë, një vend armik në 1940 me një dekret mbretëror duke shpallur ligjin e luftës, që pas më shumë se 8 dekadash ende vijon të shkaktojë përplasje edhe për toka te çamëve.

ME TE LEXUARAT