Garë e "egër" mes PS e PD në Dibër e Korçë, opozita e bashkuar merr më shumë vota, por më pak mandate

Ndërkohë që janë numëruar më shumë se gjysma e qendrave të votimit në Dibër e Korçë, diferenca mes PS e PD është e ngushtë.
Partia Demokratike është fare pranë në vota me Partinë Socialiste në Dibër. Epërsia me vetëm 562 vota i jep PS-së momentalisht mandatin e tretë në këtë qark, ndërsa PD ka dy mandate.
Megjithatë bashkë me LSI-në PD ka një epërsi të ndjeshme mbi PS-në, çka në sistemin e vjetër elektoral me koalicione do t’ia jepte mandatin opozitës. Në total janë numëruar 161 qendra votimi nga 227 gjithësej. Opozita është në një garë të ethshme me mazhorancën për të përmbysur rezultatin në këtë qark.

Në total PS ka 21927 vota, PD ka 21365 vota, ndërsa LSI ka 3250 vota. E ngushtë duket gara edhe në Korçë, por jo aq sa në Dibër. Ndërkohë që janë numëruar 247 qendra votimi nga 427 në total, PS ka 6 mandate, ndërsa PD ka 5 të tilla. Diferenca mes PS dhe PD është 3305 vota. Duhet theksuar që edhe në këtë qark opozita e bashkuar PD-LSI ka më shumë vota në total, çka me sistemin e vjetër të koalicioneve do t’i jepte asaj një mandat mbi PS-në.
Në total PS ka 33337 vota ndërsa PD ka 30032 vota, të ndjekur nga LSI me 5183 vota. Në total në Korçë janë numëruar 247 qendra votimi nga 427 në total.


