“Sterilizimi”/ Albana Vokshi përgatit listën e zyrtarëve që do të dëshmojnë, mes tyre dhe Rama

Kryetarja e Komisionit Hetimor të dy koncesioneve në Shëndetësi, Albana Vokshi ka lexuar një deklaratë për punën e këtij komisioni, ku pjesë janë edhe thirrje për të marrë në pyetje zyrtarë të lartë, duke nisur nga kryeministri Edi Rama.
Kush do thirret për të dëshmuar?
1-Edi Rama, kryeministër
2-Ilir Beqaj, ish-ministër i Shëndetësisë
3-Ogerta Manastirliu, ish-ministre e Shëndetësisë, aktualisht ministre e Arsimit
4-Shkëlqim Cani, ish-ministër i Financave
5-Anila Denaj, ish-ministre e Financave, aktualisht ministre e Bujqësisë
6-Albana Koçiu, ministre e Shëndetësisë (aktualisht)
7-Klodian Rjepaj, ish.zvministër Shëndetësie
8-Geraldina Prodani, ish-sekretare e përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë
9-Ortakët dhe administratorët e të dy koncesionarëve
10-Nisma Thurje: Endri Tafani, Pano Soko, Artan Koni
11- Drejtorët e FSDKSH që nga firmosja e kontratave të financimit dhe nisja e zbatimit të dy kontratave koncesionare
12- Drejtuesit e qendrave spitalore universitare që nga nisja e zbatimit të dy koncesioneve
13- Kryetarët dhe anëtarët e komisioneve për dhënien e koncesioneve
14- Anëtarët e KPP që kanë trajtuar ankimimet në procedurat e dhënies së dy koncesioneve
15- Drejtuesit e Agjencisë së Prokurimit Publik
16- Avokatura e Shtetit
Mbledhja e parë e Komisionit Hetimor për Shërbimin Publik të Sterilizimit dhe Shërbimit Publik të Check-Up në Shëndetësi ka nisur me debate këtë të hënë.
Pjesë nga debati:
Vokshi: Po të duroni
Ndrecaj: Po bën konferencë për shtyp, atëherë të ikim ne.
Ndrecaj: Më vjen keq që u nis në këtë mënyrë kjo mbledhje për arsye se thjesht dhe vetëm referuar deklaratave ju e keni paragjykuar veprimtarinë e këtij komisioni, keni fyer një parim kushtetues që është, është arsyeja pse jemi ngritur, jemi ngritur për tu mos u paragjykuar, nëse vijojmë me deklarata politike partiake, nëse bëjmë deklarata ndërkohë që kemi këtu për një proces të rregullt ligjor e kemi nisur me një këmbë jo të mbarë, të respektoni parimet kushtetuese.
Në lidhje me konstituimin, ne nuk e kemi vendimin e zbardhur të seancës plenare dhe nuk e di sa është e mundur pa një vendim të zbardhur. Do të ishte korrekte të kishim një vendim të zbardhur. Duhet të ezaurojmë pikën e parë që ka lidhje me zbardhjen e vendimit.
Vokshi: Kam diskutuar me drejtoreshën juridike, vendimi është zbardhur, por është vetëm çështje numri në vendimin për ngritjen e komisionit, për sa kohë kjo nuk prek thelbin unë nuk gjykoj se duhet të presim një numër. Nuk mendoj se përbën arsye për të vonuar punën e komisionit.
Vokshi: Nëse keni ardhur për të bërë zhurmë? Pak respekt, do ta merrni fjalën.
Kujtojmë se komisioni u ngrit pas marrëveshjes mes PS dhe Rithemelimit për ngritjen e dy komisioneve parlamentare, atë të Shëndetësisë dhe TIMS.