Cfarë po ndodh me "non gratën"? Gazetari amerikan: Sali Berishës i lejohet udhëtimi në SHBA

Gazetari amerikan Marc Caputo i agjencisë “Axios” ka pyetur Departamentin Amerikan të Shtetit nëse kreu i opozitës në Shqipëri, Sali Berisha mund të vizitojë Shtetet e Bashkuara, pas non grates se vendosur ndaj tij nga Presidenti i kaluar Biden.
Në një koment në rrjetin “X” ai thotë: “E pyeta Departamentin e Shtetit për statusin e vizës së Berishës dhe më thanë se ai mund të vijë në SHBA” – shkruan gazetari që publikon edhe përgjigjen e DASH.
“Ne japim rregullisht përjashtime për të lehtësuar udhëtimin e individëve të caktuar në SHBA, në përputhje me detyrimet ndërkombëtare dhe interesat tona kombëtare.
Si e tillë, ne nuk do të lejojmë që interesat tona të politikës së jashtme apo marrëdhëniet me Shqipërinë të mbahen peng nga vendime të politizuara të epokës së Biden-it” – thuhet në reagimin e Departamentit Amerikan të Shtetit dërguar për gazetarin.

Ish-kryeministri Sali Berisha dhe anëtarët e familjes së tij u shpallën “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit në 19 maj të vitit 2021.
Vendimi u bë i ditur nga sekretari i Shtetit i asaj kohe, Antony Blinken.
Nderkohe Departamenti i Shtetit nuk ka publikuar deri tani nje njoftim apo vendim zyrtar lidhur me anulimin e non grates per Sali Berishen.


