Berisha premtim shqiptarëve: Me ardhjen tonë në pushtet asnjë fëmijë nuk do mbetet analfabet!
Kreu i PD Sali Berisha gjatë fjalës së tij në tubimin madhështor të përmbylljes së fushatës elektorale ka prezantuar paktin për rininë.
Berisha gjithashtu tha se na ndan vetëm një ditë nga 11 Maji, ku e cilësoi si dita e vendimit më të rëndësishëm. Ndër të tjera Lideri i opozitës theksoi se shkollat do modernizohen dhe se asnjë fëmijë nuk do mbetet analfabet.
"Miqtë e mi, secili prej jush, qindra mijëra të tjera opozitare e opozitarë që nuk janë këtu sot, meritojnë një mirënjohje të pakufishme pasi ju me energjitë tuaja, me guximin tuaj, me entuziazmin tuaj, mbollët në një muaj rresht në të katër anët e Shqipërisë filizat e shpresës, dritën e fitores në zemrën dhe mendjen e të gjithë shqiptarëve.
Ju arritët me përkushtimin tuaj, me fisnikërinë tuaj, me përulësinë tuaj, të fitoni zemrat dhe mendjen e qindra mijëra shqiptarëve. Ju bëtë të pabesueshmen, të besueshme, irealen, reale, ju mblidheni sot në prag të një fitoreje madhështore.
Sot vetëm një ditë na ndan nga 11 Maji, dita e vendimit më të rëndësishëm që ne shqiptarët e të gjitha gjenerateve, kemi marrë dhe do marrim në jetën tonë.