Berisha i shmanget pyetjes nëse PD do i marrë mandatet e deputetëve në Parlament në shtator: Në ditët që do vijnë do mblidhen forumet

Politikë

Berisha i shmanget pyetjes nëse PD do i marrë mandatet e

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, doli sot në një konferencë për mediat, ku u pyet për strategjinë që selia blu do të ndjekë në fillim të sesionit të ri parlamentar. Pyetja direkte ishte nëse PD do të pranojë mandatet e deputetëve në shtator apo do të vijojë bojkotin politik. Berisha nuk dha një përgjigje të prerë, duke zgjedhur të kalojë çështjen me një formulim të përgjithshëm: “Vendimin do ta marrin forumet e partisë në ditët që vijnë.”

Deklarata e tij shihet si shmangie nga një nga dilemat më të mëdha të opozitës pas humbjes historike të zgjedhjeve të 11 majit 2025. Prej muajsh, Berisha ka denoncuar atë që e quan “farsë elektorale” të qeverisë së Edi Ramës dhe ka paralajmëruar protesta masive për rrëzimin e kryeministrit. Megjithatë, sot ai nuk foli më për protesta, as për ndonjë aksion të fortë opozitar, duke lënë të paqartë drejtimin që do të marrë PD në sezonin e vjeshtës.

Në konferencën e sotme, Berisha u ndal kryesisht tek zhvillimet e aktualitetit dhe pranoi vetëm dy pyetje nga gazetarët, prej të cilave vetëm një lidhej drejtpërdrejt me fatin politik të partisë. Për çështjen e mandateve, përgjigjja e tij u reduktua në një gjysmë rreshti, duke lënë pezull jo vetëm opinionin publik, por edhe vetë strukturat e PD-së që presin një udhëzim të qartë për vijimësinë e aksionit opozitar.

“A ka vendim opozita, se çfarë do të ndodhë me mandatet në Parlament, a do t’i pranojë apo do të ketë një qasje tjetër ndaj Parlamentit dhe nëse nuk ka vendim, kur do të mblidhen forumet për të vendosur se çfarë do bëjnë në vjeshtë për opozitën”, ishte pyetja e gazetarit për kreun e PD-së.

Dhe Berisha u përgjigj shkurtimisht:
“Në ditët që vijnë do mblidhen forumet dhe do marrin vendimet përkatëse!”.

ME TE LEXUARAT