U kap me 500 mijë euro drogë brenda shtëpisë në Tiranë, ‘arrest me burg’ për Shkëlqim Krrashin

Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për 61-vjeçarin Shkëlqim Krrashi, i cili u arrestua dy ditë më parë gjatë operacionit antidrogë “Shape”. Në banesën e tij në Yzberisht, policia zbuloi një sasi të konsiderueshme droge dhe e kishte kthyer hapësirën në një mini-“laborator”.
Gjatë kontrollit, efektivët sekuestruan 17 kilogramë kanabis të presuar në formë çokollate, 22.5 litra vaj kanabisi me vlerë tregu rreth 500 mijë euro, 65 gramë kokainë të ndarë për shitje, një pistoletë dhe një armë gjahu. Hetuesit dyshojnë se droga ishte destinuar për tregun e brendshëm, ndërsa vaji i kanabisit dhe sasia e madhe e lëndës narkotike tregojnë për një aktivitet të mirëorganizuar.
Në seancën me dyer të mbyllura, Krrashi mohoi akuzat, duke pretenduar se kanabisi ishte i mbetur prej vitesh në një automjet të tij, ndërsa arma e gjahut ishte me leje. Megjithatë, prokuroria theksoi se sasia e sekuestruar dhe mënyra e paketimit provonin qartë se ai merrej aktivisht me shpërndarje dhe përpunim narkotikësh.
Burime nga policia thanë se 61-vjeçari, i cili nuk ka precedentë penalë, siguronte kanabisin dhe vajin në Maqedoninë e Veriut, ndërsa kokainën e shpërndante në doza të vogla në Tiranë. Kanabisi dhe derivatet e tij, sipas hetuesve, shiteshin kryesisht me shumicë, duke i dhënë kësaj linje fitime të larta.
Krrashi do të qëndrojë në qeli deri në përfundimin e hetimeve, ndërsa pritet që prokuroria të zgjasë hetimet për të zbuluar rrjetin e furnizimit dhe bashkëpunëtorët e tij të mundshëm.


