“‘The Albanian Files’/‘Bëhu mbret’, Rama për letrën: “Është satirë dhe ironi, por po zhvillohet një inkuizicion…

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj polemikave që kanë shoqëruar librin “The Albanian Files”, duke u ndalur te letra e arkitektit Reinier de Graaf, në të cilën, në mënyrë ironike, i sugjerohet të bëhet “mbret” në vend që të zhvillohen zgjedhje.
Në podkastin “Flasim”, Rama tha se teksti është keqinterpretuar dhe përdoret si pjesë e një “inkuizicioni” ndaj botimit. Sipas kreut të qeverisë, letra nuk është një thirrje politike, por një tekst me natyrë satirike dhe autoironike, në përputhje me stilin e njohur të autorit.
Sakaq Rama theksoi se “The Albanian Files” është një projekt editorial i pavarur, ku secili arkitekt ka pasur liri të plotë për të zgjedhur tekstet dhe materialet e tij, pa ndërhyrje apo censurë.
“Ky libër quhet “The Albanian Files”. Është një ndër botimet më të rëndësishme që kanë dalë në vitet e fundit në dritën e skenës së arkitekturës dhe zhvillimit urban në Europë dhe në botë.
Është një botim i ri i kohëve të fundit dhe ka brenda punët, projektet, idetë dhe shënimet e 60 arkitektëve dhe studiove me një reputacion të padiskutueshëm ndërkombëtar, të cilat i lidh së bashku, në gjithë faqet e librit, Shqipëria.
Tani nuk dua të flas për librin, por dua të flas për një inkuizicion që ka nisur lidhur me librin, një inkuizicion që buron nga fryma e bulevardit, ku protesta e filluar për natyrën ka krijuar shumë degë të tjera dhe një nga degët është pikërisht dega inkuizicionale, e cila përndjek, në thonjëza natyrisht, por jo sepse nuk përndjek, por sepse përndjek në kuptimin me fjalë, me akuza, me shpifje, një nga gjërat dhe një nga grupet më të rëndësishme që i ka ndodhur dhe që i janë qasur Shqipërisë këtyre 30 viteve, po edhe historisë së Shqipërisë.
Njerëz të cilët, thashë, e kanë bërë emrin dhe historinë e tyre në skenën e arkitekturës botërore dhe që janë mbledhur, pavarësisht nga njëri-tjetri, në Shqipëri, siç u mblodhën dikur në Neë York, në vitet ’30, duke dhënë kontribute, të cilat, ndër të tjera, do të bëjnë që ky vend dhe vajzat dhe djemtë e këtij vendi, arkitektë, arkitekte, urbanistë, urbaniste, nesër të nxjerrin nga gjiri i tyre ndonjë emër apo më shumë se një emër shqiptari apo shqiptareje që do të shkëlqejë në skenën e botës.
Sepse, ndërkohë, këtu në Shqipëri, në kryeqytet dhe jo vetëm, ne kemi universitetin më të madh dhe më prestigjioz në qiell të hapur të arkitekturës dhe zhvillimit urban, ku të gjithë profesionistët e rinj shqiptarë janë të atashuar pranë këtyre studiove dhe punojnë së bashku, mësojnë prej tyre dhe zhvillojnë talentin, dijen; rrisin, pa diskutim, ekspertizën e tyre, falë këtij bashkëpunimi.
Tani, “The Albanian Files” është vendosur në shënjestër nga inkuizicioni, se s’mund ta quaj dot intelektual, se nuk është intelektual, por nga inkuizicioni revolucionar i protestës, ndërkohë që nuk është libri im dhe nuk është një botim i kontrolluar prej meje.
Unë thjesht kam dhënë aty një kontribut me një tekst parathënës, një tekst parathënës që është, patjetër, krenari që unë, si Kryeministër i Shqipërisë, të isha i ftuar ta shkruaja dhe që, së bashku me gjithë këtë “armatë” arkitektësh dhe profesionistësh të jashtëzakonshëm, të cilët janë pedagogë në universitetet më të mira të botës, ndër të tjera; të cilët thirren për të bërë konferenca mbi arkitekturën për të rejat, për të rinjtë, për të interesuarit dhe paguhen sa qimet e kokës nëpër vende të tjera, ka ardhur si një projekt editorial tërësisht i pavarur.
Është konceptuar, është kuruar nga Anneke Abhelakh dhe, siç thashë, janë kontribute të studiove që punojnë në Shqipëri dy dekadat e fundit. Është diçka fenomenale.
Patjetër që ka gjëra të diskutueshme, patjetër që ka gjëra të debatueshme, të kritikueshme, çfarë të doni, por që t’i qepesh një botimi të tillë, njësoj si të ishte koha e Revolucionit Kulturor Kinez dhe, mbi të gjitha, pastaj të kapesh me një tekst, i cili është një tekst autoironik i një arkitekti që përfaqëson njërën prej studiove më të mëdha në historinë e arkitekturës bashkëkohore, studion “OMA”, të themeluar dhe të udhëhequr nga legjendari Rem Koolhaas, ky është kulmi.
E para, që ky tekst i vënë aty, i cili në mënyrë autoironike është një letër drejtuar meje, e cila natyrisht është një letër që mua s’më ka ardhur, se s’kishte as pse të më vinte, është shënim në dosjen e arkitektit, ku më thotë: “Pse duhet të bëhen dhe zgjedhje? Ti mund të bëhesh mbret dhe të bësh atë që bënin mbretëritë për arkitekturën…” e të tjerë, e të tjerë.
Çështje dilemash dhe problematikash që s’kanë lidhje fare me ndonjë thirrje reale për t’u bërë mbret, është kthyer kokëposhtë, por tregon që, në fakt, libri është tërësisht i lirë, i pakontrolluar.
Të gjithë autorët, pra të gjithë pjesëmarrësit, kanë pasur pavarësi të plotë në dosjen e tyre. Kanë zgjedhur vetë projektet, kanë vënë vetë tekstet, kanë caktuar reflektimet dhe materialet që kanë dashur të publikojnë. Dhe është një parim që shprehet qartë që në hyrje të librit, ku editorja e thotë se autonomia e autorëve është ruajtur qëllimisht gjatë gjithë procesit editorial dhe përfshirja e letrës së hapur të Reinier de Graaf është një dëshmi e kësaj autonomie.
Letra është pjesë e dosjes personale të autorit; edhe vetë “files”, dosjet, është një referencë ironike e një Shqipërie që vjen nga një kohë dosjesh, ndërkohë që këtu dosjet janë të tëra të hapura për publikun.
Ai e ka vendosur aty, s’ka as redaktim, s’ka as censurë dhe, po të ishte një botim propagandistik apo i kontrolluar politikisht, ky tekst nuk do të mbetej aty, mbase.
Unë as nuk e kam parë dhe as nuk më ka ardhur, as më ka shkuar mendja ta kërkoj, ta shoh përpara librin, sesa të botohej.
Dhe çfarë na thotë në të vërtetë letra e Reinier de Graaf është se, së pari, duhet njohur autori. Ai nuk është vetëm një arkitekt i njohur ndërkombëtarisht. Është autor librash dhe esesh mbi marrëdhëniet mes arkitekturës, pushtetit, kapitalit dhe politikës.
Ka një stil botërisht të njohur ironik, satirik, paradoksal, hiperbolik, mjete që ai i përdor në punën e tij, por nuk janë deklarata politike lineare dhe ai shkruan po kështu, në të njëjtën mënyrë, për Londrën, Dubain, Rusinë, Bashkimin Sovjetik, Bashkimin Europian, Kinën; njeri i lirë.
Dhe, edhe njëherë, e gjithë kjo kthehet në një nga shumë tekstet e akuzës, e akuzës inkuizicionale që po më bëhet mua nga gjithfarëlloj personazhesh”, u shpreh Rama.
Letra e arkitektit:
Letër e hapur drejtuar Edi Ramës,
Kryeministër i Republikës së Shqipërisë
Roterdam, 3 mars 2025
Shkëlqesia juaj / i dashur Edi,
Ju lutem më falni që po ju drejtohem në këtë formë. Ju mund të mos më mbani mend; ne jemi takuar vetëm një herë, dhe unë jam thjesht një nga arkitektët e shumtë të huaj që aktualisht punojnë në vendin tuaj.
Po ju shkruaj për të shprehur mirënjohjen time për mundësinë për të punuar në Shqipëri dhe gjithashtu admirimin tim më të gjerë për gjithçka që keni arritur që kur u bëtë kryeministër pak më shumë se një dekadë më parë.
Nën qeverisjen tuaj, Shqipëria ka fituar pothuajse statusin e një modeli. Grupe të shumta fetare dhe etnike po jetojnë në paqe së bashku; ka një ndarje efektive të kishës(ave) dhe shtetit; një popullsi e re në moshë pune e mban ekonominë në këmbë; pjesëmarrja e grave në punë është e lartë dhe në rritje të vazhdueshme; Shqipëria po kërkon në mënyrë aktive anëtarësimin në BE dhe, për të mos harruar, ajo ka një shije të shkëlqyer në arkitekturë.
Në një botë të trazuar, Shqipëria ka filluar të ndihet si përjashtimi shpresëdhënës: pro bashkëpunimit ndërkombëtar, pro vlerave progresive dhe, mbase më e rëndësishmja, pro arsyes – një fener ndriçues kundër të gjitha gjasave.
Megjithatë, qëllimi i shkrimit tim shkon përtej lëvdatave. Po ju shkruaj sepse jam i shqetësuar. Në këtë moment, partia juaj po kërkon një mandat të katërt radhazi. Unë vetëm mund të shpresoj që t’ia dali mbanë. Është e vështirë të imagjinohet një regjim i ri që të kujdeset për arkitektët kaq mirë sa ky aktuali.
Profesioni ynë është historikisht i varur nga patronazhi politik dhe disa mendime të zymta më kanë kaluar nëpër kokë kohët e fundit. Çfarë do të ndodhë nëse ju nuk i fitoni zgjedhjet? A do t’i vijë papritur fundi kësaj Meke të arkitekturës moderne? A do shterojë papritur ky pus i thellë i pashtershëm pune për ne? A mund t’i duhet “ArchArmy” (Ushtrisë së Arkitektëve) të dorëzojë armët po aq shpejt sa u mobilizua?
Nuk e them këtë lehtë, por për ne arkitektët, do të ishte më mirë nëse zgjedhjet tuaja të ardhshme të anuloheshin fare. Unë madje do të shkoja një hap më tej. Duke pasur parasysh statusin e qëndrueshëm të Shqipërisë si një padeon i ndritur i arkitekturës, profesioni ynë do përfitonte shumë nëse vendi juaj të mos bënte më zgjedhje fare, dhe nëse ju, pas mandatit tuaj të pestë radhazi si kryeministër, thjesht të vazhdonit si drejtues i përjetshëm, madje më mirë, Mbret.
Ngjarje të mëdha historike po shpalosen teksa ne flasim. Autokracia po fiton me shpejtësi terren si forma përfundimtare e qeverisjes së shekullit të njëzet e një. Shpresat për një alternativë produktive dërmohen çdo ditë. Duket se po dëshmojmë fundin e “Fundit të Historisë”.
Në këtë kontekst, lutja ime është aq e thjeshtë sa ç’është e drejtpërdrejtë: Në një botë autokracish, a mund të kemi një autokrat dashamirës me shije si ju?
E di që ajo që po ju kërkoj nuk është një sakrificë e vogël, e megjithatë është e një rëndësie të madhe. Shpresoj se do ta merrni parasysh.
Sinqerisht i juaji,
Reinier de Graaf


