“Babait i dhanë 30 ditë jetë”, Lediona rrëfen tragjedinë: Halla donte të ndërpriste kimioterapinë

Në rubrikën “Ka Një Mesazh Për Ty” te “E Diela Shqiptare”, Vjollca dhe mbesa e saj, Lediona, kanë rrëfyer periudhën më të errët të betejës së tyre të përbashkët. Teksa Vjollca kurohej në Itali për tumorin agresiv, familja u godit nga lajmi i kobshëm se babait të Ledionës i kishin mbetur vetëm 30 ditë jetë.
Kjo humbje tragjike e rëndoi aq shumë psikologjikisht dhe fizikisht Vjollcën, saqë e mbetur pa fuqi, ajo vendosi të dorëzohej dhe të ndërpriste seancat e fundit të kimioterapisë. Megjithatë, ishte këmbëngulja e Ledionës ajo që nuk e la hallën e saj të dorëzohej në momentet më kritike. Falë kësaj lidhjeje të fortë dhe mbështetjeje të palodhur, ato arritën të fitonin mbi dhimbjen e madhe dhe të vazhdonin luftën për jetën.
Vjollca: Në realitet për mua ajo është vërtet çupa e madhe e imja, sepse ka bërë gjithçka. Ajo është luftëtare si puna ime.
Lediona: Kur e shikoj hallën time dhe kur thotë fjalën ‘4 vite’ më kujtohet momenti i diagnostikimi i saj. Ajo erdhi drejt Italisë me shpresën që do të bënte një diagnostikim dhe do ikte, ndërsa unë për fatin tim të keq dija çdo gjë. Dija çdo gjë dhe duhet të dija se si t’i flisja jo vetëm asaj, por edhe familjarëve të saj, dy vajzave të saj. Kur thoshte ‘nuk mundem dot më’, unë i thoja ‘edhe pak’. Në mesin e kimioterapive, ku dukej sikur po e merrte veten, vjen një bombë e madhe, ku im ati i japin vetëm 30 ditë jetë. Unë ndahesha mes Italisë dhe Shqipërisë në një gjendje konfuze komplet. Në momentin kur vdiq im atë ka qenë një moment shumë i fortë, ku halla thoshte ‘unë nuk e vazhdoj kimioterapinë më’.
Ardit Gjebrea: Vjollca, pse?
Vjollca: Në dy seancat e fundit, sidomos te e fundit fare unë e kuptova që isha rënduar jashtë mase, u dorëzova sepse e kisha shumë të rëndë dhe nuk kisha fuqi. Por, nuk më lanë. Janë luftëtaret e mia.


