E RËNDË/ U hodh për të notuar dhe nuk doli më, zhduket në liqen bashkëshorti i ministres

Një ditë pushimi pranë liqenit u kthye në dramë për ministren italiane të Familjes, Eugenia Roccella. Bashkëshorti i saj, Luigi Cavallari, 84 vjeç, rezulton i zhdukur prej pasdites së së shtunës pasi u hodh në ujërat e liqenit Vico për t'u freskuar nga temperaturat e larta.
Ngjarja ndodhi në liqenin Vico, një liqen me origjinë vullkanike në rajonin Lazio, rreth 70 kilometra në veriperëndim të Romës. Liqeni arrin deri në rreth 50 metra thellësi dhe njihet për ujërat e tij shumë të ftohta, sidomos në thellësi.
Sipas rindërtimit të parë të ngjarjes, çifti kishte marrë me qira një varkë të vogël dhe po lundronte në liqen. Cavallari u hodh në ujë për t’u freskuar. Kur doli në sipërfaqe, ai arriti vetëm të thoshte se nuk ndihej mirë, por nuk mundi të hipte më në varkë dhe as të mbahej pas saj, pasi ajo nuk ishte e ankoruar. Ministrja Roccella nuk arriti ta ndihmonte dhe njoftoi menjëherë shërbimet e emergjencës.

Një nga pistat kryesore që po hetohet është se 84-vjeçari mund të ketë pësuar një shok termik nga kontrasti mes temperaturave të larta të ajrit dhe ujit të ftohtë të liqenit. Hetuesit nuk përjashtojnë as mundësinë që trupi i tij të jetë tërhequr nga rrymat.
Prej më shumë se 24 orësh, kërkimet vijojnë pa rezultat. Në operacion janë angazhuar zhytës të zjarrfikësve, karabinierëve dhe Guardia di Finanza, ndërsa po përdoret edhe një robot nënujor me kamera nate dhe një helikopter që po kontrollon zonën nga ajri.
Sipas autoriteteve, operacioni është tepër i vështirë për shkak të shikueshmërisë pothuajse zero në ujë dhe temperaturave shumë të ulëta në thellësi. Mediat italiane raportojnë se shpresat për ta gjetur Cavallarin gjallë janë tashmë shumë të vogla.
Luigi Cavallari është profesor në Universitetin “Gabriele d’Annunzio” në Chieti-Pescara dhe studiues në fushën e teknologjisë së arkitekturës. Ai dhe ministrja Eugenia Roccella janë të martuar prej dekadash dhe kanë dy fëmijë.


