Balluku paralajmëron dënime të rënda për zjarrëvënësit: Do t’u bëhet publik identiteti

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ka dhënë një deklaratë të fortë nga Bulqiza, ku ndodhet për të ndjekur nga afër situatën e zjarreve që po përfshijnë vendin. Ajo paralajmëroi ndryshime në Kodin Penal, duke kërkuar që zjarrvënia, qoftë e qëllimshme apo nga pakujdesia, të trajtohet si krim i rëndë dhe të dënohet me penalitete maksimale.
“Kemi pasur zjarrvënës të qëllimshëm. Në Kodin e ri Penal do të kërkojmë që zjarrvënia e qëllimshme, por edhe ajo nga pakujdesia, të jetë vepër penale dhe të dënohet rëndë. Mjaft më me tolerime,” – tha Balluku.
Ajo theksoi se Policia e Shtetit ka identifikuar autorët dhe se për këta nuk do të ketë më fshehje identiteti. “Emrat e zjarrvënësve do të bëhen publikë. Do të shërbejnë si shembull për të gjithë,” u shpreh zv.kryeministrja.
Deklarata vjen në një kohë kur zjarret kanë shkrumbuar mijëra hektarë në të gjithë vendin, përfshirë pyje, pemë frutore dhe disa banesa. Në Delvinë, janë urdhëruar evakuime në tre fshatra të rrezikuara nga flakët. Brenda 72 orëve të fundit, janë ndaluar dhe proceduar penalisht 12 persona të dyshuar si autorë zjarrvëniesh në disa qarqe. Autoritetet thonë se hetimet do vijojnë intensivisht dhe nuk do ketë asnjë mëshirë ndaj përgjegjësve.


