Kodi i ri Penal/ Burg për komentet kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndëshkohen edhe gazetarët që publikojnë të dhëna sekrete

Parlamenti i ri, që nis punën në shtator, do të ketë në rendin e ditës shqyrtimin e draftit të ri të Kodit Penal, një projekt i prezantuar nga drejtuesit më të lartë të sistemit të drejtësisë. Dokumenti është përqendruar tek forca ndëshkuese ndaj atyre që prekin integritetin e procesit gjyqësor dhe nxjerrin informacione sensitive.
Drafti përmban disa nene që kanë shkaktuar reagime të forta, veçanërisht për mënyrën si trajtohet publikimi i të dhënave sekrete dhe komentimi i vendimeve gjyqësore.
Neni 516
Zbulimi i bashkëpunëtorit të drejtësisë
1. Zbulimi i të dhënave sekrete apo konfidenciale, që kanë lidhje me identitetin, procesin e bashkëpunimit, të mbrojtjes ose për vendndodhjen e dëshmitarëve e të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, të cilët përfitojnë mbrojtje të veçantë sipas ligjeve në fuqi, dënohet me burgim nga dy deri në gjashtë vjet.
2. Zbulimi që ka sjellë si pasojë vdekjen, plagosjen e rëndë ose ka rrezikuar seriozisht jetën apo shëndetin e dëshmitarëve ose të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, të familjarëve të tyre apo të punonjësve të policisë, të ngarkuar me mbrojtjen e tyre dënohet sipas dispozitës penale të posaçme bazuar në llojin e pasojës së ardhur dhe, konkurron me paragrafin një të këtij neni.
3. Publikimi me çfarëdolloj forme i akteve të përmendura në paragrafin e parë të këtij neni, shton dënimin deri në një të tretën e tij. Nëse kjo vepër kryhet nga personat juridikë dënohet me gjobë ose me një nga dënimet sipas nenit 123 të këtij Kodi.
Burg për komente kundër drejtësisë
Një tjetër nen problematik është neni 536, që parashikon burgim deri në 3 vjet për çdo person që, përmes komenteve publike, përpiqet të ndikojë mbi një vendim gjyqësor. Kjo përfshin krijimin e presionit ndaj gjykatës, shtrembërimin e qëllimshëm të provave apo diskreditimin e saj në publik. Sipas draftit, veprime të tilla minojnë pavarësinë e sistemit dhe dëmtojnë besimin tek drejtësia.
Këto dispozita, nëse miratohen, do të ndryshojnë rrënjësisht mënyrën si trajtohet informimi publik mbi çështje gjyqësore dhe liria e shtypit në vend. Reagimet e shoqërisë civile dhe organizatave të gazetarëve pritet të jenë të forta në javët që vijnë.


