U dhunua nga nënkomisari, kamarieri rrëfen: “Më goditën tre herë vetëm për një bidon ujë tepër”

Një ngjarje brutale ka tronditur qytetin e Vlorës, ku një kamarier 18-vjeçar u sulmua fizikisht nga një nënkomisar i policisë dhe një person me precedent penal, vetëm për një keqkuptim të vogël në një porosi. I riu rrëfen për Top Channel se gjithçka nisi kur një klient kërkoi vetëm një shishe ujë, ndërsa kamarieri tjetër e mori porosinë gabim dhe i solli më shumë. Kur ai hoqi bidonët e tepërt, u sulmua papritur nga dy burrat.
“Sapo më thirrën të shkoja të sjellja porosinë. Klienti më tha ‘veç një ujë më sill’, sepse tjetri kishte porositur edhe një ujë. I thashë që ta heq unë, nuk kishte nevojë të shante kamarierin tjetër, që ishte pa dashje. Por ata u ngritën, më ndoqën deri në banak dhe më goditën tre herë. E para me dackë, dy të tjera me grusht, madje më hodhën edhe syzet, që fatmirësisht nuk u thyen. Më goditën edhe në qafë,” tregoi i riu.
Ngjarja ndodhi në një hotel të njohur në zonën e Skelës, ku ishin të pranishëm klientë vendas dhe të huaj. Sipas dëshmive dhe pamjeve, nënkomisari Ardian Isufi, jashtë detyrës në atë moment, dhe Leart Bimo, me precedentë penalë, ushtruan dhunë të papërmbajtshme ndaj kamerierit, për shkak të një mosmarrëveshjeje banale.
Klientët, të tronditur nga dhuna, larguan menjëherë nga ambienti, duke lënë hotelin bosh. Pas ngjarjes, Policia e Vlorës bëri me dije se Isufi, i cili mban postin e nënkomisarit në Policinë Kufitare Dibër, është pezulluar nga detyra.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik, ndërsa autoritetet janë vënë në lëvizje për hetimin e plotë të saj dhe ndëshkimin e përgjegjësve.


