Avokatët e Veliajt akuzojnë SPAK-un: Po shkelni ligjin, keni kthyer hetimet në farsë publike

Avokatët mbrojtës të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kanë reaguar ashpër ndaj rrjedhjeve të vazhdueshme të informacionit hetimor në media, duke akuzuar prokurorinë dhe mediat e lidhura me të për shkelje të rënda të ligjit dhe cenim të drejtësisë.
Sipas deklaratës së publikuar në rrjetin social Facebook, avokatët e Veliajt e cilësojnë hetimin si një “gjyq publik spektakolar”, i orkestruar përmes rrjedhjeve të paligjshme nga SPAK dhe një fushatë mediatike të dirigjuar, që sipas tyre, synon krijimin e një narrative të manipuluar përpara se çështja të shqyrtohet nga një trup gjykues i paanshëm.
“Artikujt me porosi, të paraqitur si ‘zbulime ekskluzive’, nuk synojnë zbardhjen e së vërtetës, por ndërtimin e një narrative të gatshme publike”, thuhet në deklaratë, ku theksohet se rrjedhjet e informatave, sidomos në fazën paraprake të hetimeve, përbëjnë shkelje të rënda të ligjit dhe cenojnë rendin kushtetues të vendit.

Avokatët e Veliajt pretendojnë se procesi është kthyer në një farsë publike, duke akuzuar organet e drejtësisë për dështim në ruajtjen e sekretit hetimor. Ata paralajmërojnë se po dokumentojnë çdo akt që, sipas tyre, jo vetëm shtrembëron procedurën, por dëmton edhe perspektivën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Në këtë linjë, theksohet se izolimi i Veliajt është i pajustifikuar dhe cenon të drejtat e një zyrtari të zgjedhur nga mbi 160 mijë qytetarë, ndërsa i mohohet mundësia për të ushtruar funksionin publik.

“Ne jemi të bindur se kur kjo ndjekje penale të vihet përballë një organi të paanshëm gjykimi, ajo do të shembet dhe do të zbulohet për çfarë është në të vërtetë: një ndjekje me prapavijë politike që dëmton standardet evropiane të drejtësisë”, përfundon deklarata e avokatëve.
Kjo dalje publike vjen në një kohë kur presioni ndaj SPAK është rritur, ndërkohë që për Veliaj vazhdojnë hetimet për korrupsion dhe abuzim me fondet publike në dosjen e inceneratorëve. Ai ndodhet në masë sigurie dhe deri më tani nuk ka bërë një deklaratë të drejtpërdrejtë, përveç qëndrimeve të publikuara përmes avokatëve të tij.


