Aksidenti që i mori jetën 40-vjeçarit në Bulqizë/ Arrestohet drejtuesi teknik i subjektit minerar, nuk zbatoi rregullat e mbrojtjes në punë

Është arrestuar drejtuesi teknik i subjektit minerar ku humbi jetën minatori 40-vjeçar Ilir Koloveri në Bulqizë.
Sipas Policisë, 63-vjeçari me inicialet P. K., banues në fshatin Vajkal, dyshohet se nuk ka zbatuar rregullat e mbrojtjes në punë, duke sjellë si pasojë aksidentimin fatal të punonjësit.
Arrestimi i tij u krye pas veprimeve hetimore lidhur me ngjarjen e ndodhur më 1 gusht 2026, ku minatori humbi jetën gjatë punës në subjektin minerar.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.


